Ish ambasadori, Arben Çeku i cili është edhe autori i Barometrit Social-Politik të vitit 2021 për Shqipërinë, deklaroi mbrëmjen e sotme se qyteti i Leskovikut rrezikonte të shuhej plotësisht.
Çeka tha se varfëria ishte tepër e madhe në familjet shqiptare. I ftuar në emsionin “Open”, ish ambasadori u shpreh se politikanët shqiptarë duhet të dilnin në terren për të parë situatën pasi shumë qytete mezi po arrinin të mbijetonin.
“Problemi është se një pjesë e qyteteve të mëdha jetojnë në vështirësi, por ka disa qytete që mezi mbijetojnë, si Erseka, Gramshi, Bulqiza, që fatkeqësisht po rivalizojnë me emrin e ndonjë restoranti. E gjitha lidhet me politikëbërjen dhe deri tani vendimet janë marrë nga lart poshtë dhe nuk është zbritur në terren.
Mendoj se partitë nuk duhet të zbresin në terren vetëm për të sharë njëri-tjetrin, por të zbresin tani që nuk ka zgjedhje dhe të shohin si mund të zhvillohet Leskoviku, se ai qytet po shuhet. Kjo politikë duhet të ulet dhe të ndërtojë një agjendë kombëtare të daljes reale nga kjo krizë. Familjet shqiptare kanë kaluar në një ferr financiar. Rritja e çmimeve është një lloj pandemie financiare e çdo familjeje shqiptare”, u shpreh Arben Çeku.