Pas protestës së organizuar nga opozita, Policia ka filluar kontrollet në të gjithë Tiranën, për të bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e personave që goditën godinën e Kryeministrisë.
Burime nga policia bëjnë me dije se deri tani janë shoqëruar mbi 25 persona si dhe ish-Drejtori i Policisë Bashkiaka në Tiranë, Florenc Hoxha.
Ndër të shoqëruarit mësohet se është edhe një invalid, i quajtur Resul Daci 23-vjeç.
Këtë e bën të ditur i ati i tij, i cili me kartelën e tij në dorë tregon se si i është marrë nga policia i biri invalid që nga ora 17:30.
Nga ana tjetër, pak minuta më parë, deputetët e Partisë Demokratike të cilët po presin të marrin informacion në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, janë përplasur fizikisht me policinë dhe gjuhë të agravuar të debatit.
Pas përplasjes ka reaguar edhe deputeti demokrat Flamur Noka, i cili ka treguar edhe arsyet e përplasjes:
“Jeni dëshmitarë sesi u sollën e gjithë kupola e policisë duke lënë për rreth një orë deputetët e opozitës jashtë. Menduam se kishin punë, por kur u ngjitëm sipër pamë kupolën e Drejtorisë si një tufë derrash të zhgërryer, me Whisky, Vodka e RedBull, e ne na lanë duke prituar pa dhënë asnjë sqarim. Ata po festonin. Policia që duhet të ishte në shërbim të qytetarëve ishte duke u zhgërryer në Whisky”, – tha Noka.
Faxweb.al ka siguruar pamje nga kjo përplasje të cilat mund t’i ndiqni më poshtë:
(B.B/ Faxweb.al)