Policia e Korçës ka bërë të mundur arrestimin e 4 shtetasve dhe ka proceduar në gjëndje të lirë dy të tjerë ndërsa në kërkim është shpallur një person, për vepra të ndryshme penale.
Një 18 vjeçar, me inicialet A.E., banues në Cërrik, është vënë në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim nga policia e Pogradecit për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”
Në fshatin Rëmbec të Maliqit u ndalua shtetasi Dh.K. 54 vjeç pasi plagosi me mjet të fortë në ball shtetasin J.A. 55 vjeç, banues në të njëjtin fshat, i cili është dërguar në Tiranë për mjekim.
Shtetasi F.H. 26 vjeç banues në Libonik ka qënë me arrest shtëpie në momentin që është pikasur nga policët jashtë banesës së tij dhe i ka dhënë identitet të rremë efektivëve për të shmangur arrestimin. 26 vjeçari u arrestua në flagrancë dhe do të dënohet për veprat penale penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore.
Një tjetër shtetas 61 vjeç, banues në fshatin Çërravë në Pogradec është arrestuar pasi duke drejtuar motomjetin e tij ka aksidentuar shtetasen S.F. 46 vjeçe dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, por më pas është kapur nga shërbimet e policisë.
Njoftimi i policisë:
DVP Korçë/Vihen në pranga 4 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.
– Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec ndaluan shtetasin në kërkim A. E., 18 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec ka urdhëruar ndalimin e tij, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
—
– Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq ndaluan shtetasin Dh. K., 54 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet të fortë, në ballë, shtetasin J. A., 55 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq, i cili pas ndihmës në spitalin e Korçës, u dërgua në Tiranë, për mjekim më të specializuar. Nga ana e Policisë po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
– Po këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin F. H., 26 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në fshatin Sheqeras, Maliq, jashtë banesës, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Për të shmangur ndalimin nga Policia, 26-vjeçari ka dhënë identitet të rremë.
—
– Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin R. K., 61 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Ky shtetas, duke drejtuar motomjetin tip “Yinxiang”, pa leje drejtimi, në fshatin Çërravë, ka aksidentuar shtetasen S. F., 46 vjeçe, banuese në Korçë, e cila pasi kontrollit mjekësor në spital, u largua në banesë. Shtetasi R. K. u largua nga vendi i aksidentit, por më pas u kap dhe ndalua nga shërbimet e Policisë.
– Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. A., 21 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi duke drejtuar automjetin tip “Opel”, në hyrje të fshatit Sheqeras, Maliq, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe ka braktisur automjetin.
—
– Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen D. A., 19 vjeçe, banuese në fshatin Sovjan, Maliq, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi në lagjen nr. 10, Korçë, ka goditur për motive të dobëta, shtetasen B. H., 18 vjeçe, banuese në Korçë.
– Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin B. D., 64 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 6, Korçë, në një ambient në përdorim të tij, u gjet dhe u sekuestrua një aparat celular, të cilin dyshohet se ky shtetas e përdorte për vendosjen e basteve sportive.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprime të mëtejshme.
—
Maliq/Informacion paraprak
Më datë 19.11.2022, rreth orës 14:15, në rrugën dytësore Pendavinj-Plasë, shtetasi M. M., banues në Librazhd, Elbasan, duke drejtuar automjetin tip furgon, ka aksidentuar biçiklistin R. K., rreth 75 vjeç, banues në fshatin Pendavinj, i cili u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Me drejtuesin e automjetit M. M., po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.