Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetBlogFlashPolitikëTe FunditTe Gjitha

Poli Hoxha: Opozita të bëjë çfarë të dojë, por ky është kurthi që i ka ngritur Edi Rama!

Ka një kurth evident të cilin opozita jo vetëm nuk po e sheh, por përkundrazi po e lejon vetveten që të bjerë brenda tij në zhytje të lirë. Kjo po duket qartë në mënyrën se si po e menaxhon këtë punën e Këshillit Politik, për Reformën Zgjedhore.

Po ta shihni me kujdes, një proces që duhej të ishte fare i thjeshtë sepse është një kusht i BE-së, po shfaqet si një dramë. Si një mal që uturin nga dhimbjet e lindjes, por që edhe vetë e di se do të pjellë një mi.

Tensioni që i transmetohet publikut me takime jashtë kamerave dhe me deklarata enigmatike është teje i lartë, por i stisur. Rama që e di se fundi do të jetë një limonadë, i hedh shkarpa zjarrit sepse i intereson një mbyllje bombastike.

Reforma nuk lindi dot në datën e vet më 31 Maj. Bisedimet mbahen sekrete, kurse tre ambasadorët më të rëndësishëm në Tiranë mbyllen 9 orë me Damianin, Oerdin, Petritin dhe Rudinën dhe dalin të djersitur: ‘Kemi bërë përparime; ka shumë shpresa se marrëveshja do të arrihet shpejt.’

Të krijohet përshtypja se po bisedon SHBA me Korenë e Veriut dhe Iranin. Kurse Edi Rama me Lulzim Bashën; po bëjmë luftë de more de, lum ti parti që na ke!

I gjithë ky shtrëngim absurd, vetëm 10 muaj përpara zgjedhjeve, është një pjesë e kurthit të Edi Ramës. Kur të pillet miu i ngjizur nga OSBE-ODHIR, ai do ta shesë atë si elefant dhe mundësisht edhe për të legalizuar një takim `kok më kok` me Bashën.

Personalisht besoj se në këtë situatë, tani që nuk ka më kohë, ata që i shërbejnë Edi Ramës, me dashje apo jo, me financim a në natyrë, janë pikërisht ata që kritikojnë dhe sulmojnë opozitën në mënyrë permanente. Sidomos kur janë të vetë-deklaruar si pro saj dhe nuk i zë gjumi, për ‘frymën’ që i mungon. Më të rrezikshmit janë ata që e bëjnë Ramën `copë-copë`, sepse janë kështu edhe më të besueshëm. Tani nuk ka më kohë ‘për frymë’, por për taktikë.

Frymë është dosja klepto-kriminale 8 vjeçare e Rilindjes! Bie erë kjo këshillë, por ja që nuk jemi në Danimarkë dhe as popull danez. Kurse largimi i organizatës që ka kapur gjithë sistemin imunitar të vendit në këto 8 vite, është tashmë një emergjencë kombëtare.

Opozita që kemi është produkt i këtyre 30 viteve tranzicion, me të gjitha karakteristikat e tij që dihen. Por `Rilindja` e Edi Ramës është një mutacion malinj. Nëse nuk ndërhyhet me një operacion radikal, në zgjedhjet e vitin që vjen, atëherë Shqipëria do të jetë kushedi edhe për sa dekada, një trup nën pushtetin e qelizave kanceroze.

Por kjo nuk do të thotë që ca mendje me ingranazhe ku nuk rrjedh pikë vaji lubrifikant të cilat këshillojnë lidershipin e opozitës, të lejohen që ta shtyjnë atë në kurthin e Edi Ramës.

Tashmë edhe vetë opozita e di që ‘operacioni radikal’ vitin që vjen, nuk nënkupton thjesht një votë shumice për partitë e tyre, por një votë popullore ati-Ramë dhe kundër asaj që ai përfaqëson. Pra cili është kurthi dhe si është ngritur ai?!

Që kjo votë anti-Ramë të mos hidhet në kuti nga dilematikët dhe veçanërisht, nga ata që bojkotuan në zgjedhjet e kaluara. Dhe këta janë shumicë e totalit të shqiptarëve që votojnë. Bojkoti të stimulohet dhe të thellohet sa më shumë; kjo është shpresa e vetme e Edi Ramës.

Ingranazhi i kësaj strategjie është demotivimi i votuesve dhe veçanërisht i atyre që përfaqësojnë zonën gri; pështirosja nga klasa politike dhe partitë në bllok, mos besimi te Kodi i ri Zgjedhor që do të dalë dhe përlyerja e të gjitha palëve si bashkëfajtorë.

Në funksion të kësaj strategjie janë edhe të gjitha ‘lajmet’, analizat e `merak-et` se ka apo jo një pakt tjetër sekret, Basha-Rama; se do të ketë qeveri të gjerë PS-PD pas zgjedhjeve të ardhshme, e të tjera helme përçarëse dhe diziluzionuese që po hedh me shumicë shtabi elektoral i Rilindjes.

Strategjia, kurthi, ka si synim pjesëmarrjen sa më të ulët të shqiptarëve në zgjedhjet që vijnë duke dekurajuar votën plebishitare anti-Ramë. Ky është thelbi. Çështja e Reformës Zgjedhore është një prej rrjetave, e hedhur që tani.

Disa ideologë partizanë e `punëtorë` të opozitës thonë me rastin e kësaj Reforme; mos u merrni me sistemin, por me mënyrën se si do të mbrohet vota! Dhe e thonë ca zëra që në opinion merren, si gojët e Bashës dhe Kryemadhit. Edi Rama fërkon duart kur i dëgjon. Madje i stimulon në mënyrat e tij.

Shqiptarët janë militant të lehtë, por jo budallenj. Nuk mund t`ju thuash mbro votën që nxjerr fituese listën që e bën kryetari i mbyllur në zyrën e tij, (edhe pse ke parë se kush janë futur në parlament që pas vitit 2008), por mos u shqetëso se çfarë lloj monstrash-deputet, do të prodhojë vota jote!

Kushdo me dy pare mend e di që tani për tani, nuk ka për të pasur ndryshim të sistemit dhe veçanërisht heqje dorë nga ajo puna e listave të mbyllura, eksluzivitet i kryetarëve. Kjo sepse Rama as që ka për të lëshuar ndonjëherë pe në këtë drejtim, sa të jetë në politikë. Mezi e kapi këtë shans kur Berisha ishte në siklet të madh në vitin 2008. Dhe këtë e thotë troç.

Çështja është te artikulimi qoftë edhe formal i Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Që të dy janë deklaruar dhe janë treguar të gatshëm, që të heqin dorë nga listat. Partia e kësaj të fundit, ka bërë edhe grevë urie për këtë punë.

Sistemi nuk ka për të ndryshuar as këtë herë, edhe pse është goditur rëndë. Por ‘enigma’ është se përse në opinion është krijuar përshtypja që po bëhet bindje, se opozita krahas kushteve të drejta që ka vënë për ingranazhet që do të mbrojnë votën, nuk e do ndryshimin e një sistemi, i cili qoftë edhe si perceptim jua ka shpifur shqiptarëve, majtas e djathtas?!

Kjo duhet kthjelluar prej opozitës, pavarësisht se Rama dhe ndërkombëtarët e kanë vendosur që ta diskutojnë, në një kohë të ardhme dëshirore. Le t`ja lënë ndër dhëmbë Ramës alibinë; unë nuk e dua ndryshimin, por as opozita nuk e do.

Ja e shihni jemi njësoj; çfarë ndryshimi thoni?! Ata thjesht duan rotacion, rikthim në vitin 2019; ja marrim Prenës ja japim Lenës?!

Dhe kjo po ngjit, për hir të së vërtetës. Shihni sa janë shtuar zërat anti-Ramë që po betohen se nuk do të votojnë fare në zgjedhje, meqenëse Rama dhe Basha ‘qenkan marrë veshë’ që të mos ndryshojnë sistemin. Rama po ja del, që ta shpërndajë faturën!

Në këtë situatë, pjesëmarrjen e ulët të votuesve në zgjedhjet e vitit 20121, ka për ta ndihmuar shumë edhe një valë e paprecedentë emigrimi e shqiptarëve që pritet të ndodhë menjëherë pas rihapjes së kufijve. Ata qindra-mijë shqiptarë që kanë emigruar gjatë pushtetit të Rilindjes dhe mijëra të tjerë që kanë bërë gati valixhet pas goditjes së rëndë ekonomike që shkakto pandemia në vend, janë të gjithë vota kundër pushtetit të Ramës që i ka përzënë nga atdheu.

Pra thelbi i kurthit dhe i strategjisë së tij është bojkoti masiv i zgjedhjeve të ardhshme, prej shqiptarëve. Këtë i kanë thënë edhe ‘mjeshtërit’ e kompanive të huaja të `piarit`, që i bëjnë sondazhe të hollësishme.

Synimi është që në zgjedhjet e ardhshme të marrin pjesë vetëm militantët e betuar të partive; administrata e tej-fryrë shtetërore, mësuesit dhe punonjësit e bizneseve me pronarë që përfitojnë me tenderime e koncesione nga buxheti i shtetit. Tani gjejeni, se kush fiton! Edhe pse mund të jetë pakicë e frikshme, siç u vërtetua në votimet e fundit moniste për pushtetin lokal.

Ndaj opozita duhet ta shohë dhe ta lexojë qartë kurthin dhe strategjinë e Ramës për të rikonfirmuar pushtet me anë të pakicës. Të paktën te ky Këshilli Politik, (janë që janë), duhet që të kërkojnë një ndryshim thelbësor për sistemin zgjedhor; Nuk mund të certifikohen kurrë ato zgjedhje, ku nuk kanë marrë pjesë mbi 50% e atyre që kanë të drejtën e votës!

Partitë politike firmosën Marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. A mendoni se Presidenti Meta duhet të dekretojë një datë zgjedhjesh në tetor të këtij viti?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *