Kryeministri Edi Rama ka bërë reagimin e tij të parë, pas numërimit të më shumë se 85% të kutive të votimit, që i japin Partisë Socialiste 72 mandate në rang vendi.
Teksa poston një foto dhe një shprehje të basketbollistit të njohur Michael Jordan, Rama shkruan se në jetë duhet të punosh fort që të mund tia dalësh, dhe se nuk mund të ketë rrugë të shkurtra për të mbërritur në finish.
Rama: MIRËMËNGJES! Po punove fort ia del. S’ka rrugë të shkurtra në jetë – Michael Jordan
Kur janë numëruar 4653 qendra votimi nga 5199 që janë në total, PS ka marrë 48.66 % të votave në rang kombëtar, PS ka marrë 39.37 % dhe LSI 6.91%, ndërsa PSD e Tom Doshit 2.2%.
E përkthyer në mandate deri në momentet që flasim PS ka siguruar 72 të tillë, PD 59, LSI 6 dhe PSD 3.
Fitorja e mandatit të tretë nga ana e Edi Ramës është një rekord më vete në historinë demokratike të Shqipërisë, pasi asnjë forcë politike nuk ia kishte dalë që të qëndronte më shumë se 8 vite në pushtet.
Ndërkohë që PD e kryesuar nga Lulzim Basha, pavarësisht se ka një përmirësim të dukshëm të rezultatit në raport me 4 vite më parë, duket se nuk ka sjellë frymën e duhur që të mund të bënte ndryshimin e madh.
E zhveshur nga të gjitha pushtetet opozita hyri në këtë garë me bindjen se do ti fitonte zgjedhjet, por duket se kjo nuk ndodhi, edhe pse shpresat e tyre janë për një mrekulli deri në numërimin e kutisë së fundit.
(E.K/Faxweb.al)