Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashPolitikëTe FunditTe Gjitha

“Po i braktisin besnikët, po tkurren, pas 25 Prillit Mona në Angli, Luli në Hollandë”, Veliaj ironizon me opozitën: Erdhi kunati dhe aplikoi për…

Në një takim me banorë të Laprakës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se nga njëra anë Lulzim Basha flet për varfërinë, e nga ana tjetër aplikon në bashki për të marrë leje për të ndërtuar një vilë tjetër.

“Kunati i Lulit kishte aplikuar në Bashkinë e Tiranës për vilën e pestë, një pafytyrësi! Ti jep njëherë një kuti me ndihma ushqimore apo një konteiner për familjet e tërmetit. U thashë ta harrojnë lejen për vilën e pestë! Mirë që i shtojnë vilat në vit pandemie, por aplikojnë edhe për një tjetër. Lejen për vilën e pestë do ta marrin vetëm kur të falin një nga katër vilat e tjera. Flasin për varfëri dhe aplikojnë për vila, pafytyrësi”, tha Veliaj.

Gjithashtu kryebashkiaku i Tiranës u shpreh se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë tkurrur dhe Lulzim Bashën me Monika Kryemadhin nuk i beson më askush. Për kryebashkiakun Veliaj, Basha dhe Kryemadhi e kanë një plan B në 25 prill: njëri në Hollandë dhe tjetra në Angli.

“Asnjë nga ish-ministrat e LSI nuk kandidon më. Përveç Saliut, të gjithë themeluesit e PD kanë ikur. Që do të thotë se kur ata që i kanë themeluar këto forca nuk kanë më besim tek ajo parti, çfarë besimi mund të kenë njerëzit e thjeshtë? Në datën 25 prill, në darkë, niset avioni i fundit: Mona në Angli, Luli në Hollandë. Ky është plani B i tyre. Ndërsa ne kemi vetëm një plan, plani ynë është Tirana”, tha Veliaj.

Ai shtoi se PD dhe LSI i tradhëtuan dy herë votuesit e tyre dhe s’ka asnjë garanci nëse s’do ta bëjnë prapë këtë. “Pyetja për një demokrat ose një votues të LSI-së është kjo: I votove, të ikën nga Parlamenti. I votove, të ikën edhe nga Bashkia. Çfarë garancie ke tani? Pse do ta harxhosh votën tënde kot? Vota është kontratë pune e qytetarëve me ata që qeverisin. Kush prej nesh do ta merrte në punë tre herë një person që të ka ikur dy herë nga puna?! Ata mund të të ikin sërish, se e kanë bërë rrugë politike”, theksoi kryebashkiaku.

Veliaj nënvizoi se motoja e socialistëve është puna e përulur për njerëzit dhe jo përçarja dhe bllokimi. “Ne duhet të fokusohemi te njerëzit. Kjo është politika më e mirë. Kurse ata merren me thashetheme. Pa ardhur vaksina, thonin: “Pse nuk ka ardhur?” Tani që erdhi, thonë: “Pse erdhi vaksina?” Kur bllokonin Astirin, thonin: “Pse s’është bërë rruga?” Tani thonë: “Pse ka trafik, se po bëhet rruga?” “Pinim nga dy kafe në ditë,” – i thoshte njëri Monës dje, – “tani pimë një kafe”. Një parti politike që e ka ambicien sa një filxhan kafeje, aq e ka vizionin, atë botëkuptim dhe program kërkon të sjellë”, ironizoi ai.

Duke iu referuar një prej largimeve më të fundit nga radhët e LSI-së, pikërisht drejtuesit të LSI në Laprakë, i cili iu bashkua PS-së, Veliaj tha se tkurrja e LSI në rrethe është edhe më e madhe. “Monës i ikur e gjithë njësia. I iku edhe më besniku, që e shkriu gjithë jetën dhe pasurinë e tij për Monën dhe Ilirin. I keni parë Lulin dhe Monën të dalin në ndonjë qytet tjetër? Rrinë vetëm në Tiranë, se ngaqë Tirana është e madhe, duan të kapin ndonjë mandat këtu. I keni parë në Fier, në Elbasan? I keni parë në Korçë, në Kukës e Dibër? Nuk shkojnë. Kur të kanë ikur të gjithë ish-drejtuesit, normale që do mbetesh vetëm në Tiranë”, theksoi ai.

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *