Ish-të përndjekurit politikë kanë paralajmëruar këtë të premte që të zhvillojnë një grevë për të cilën kanë njoftuar edhe Drejtorinë e Policisë. Por kjo grevë është refuzuar nga autoritetet pasi sipas tyre kjo është në kundërshtim me rregullat anti-Covid.
Ndërkohë disa ish të përndjekur janë mbledhur para institutit ku studioheshin krimet e komunizmit, duke paraqitur 8 kërkesa.
“Na është mbyll dera që të mos dëgjohet zëri jonë në institucione, ku po diskriminohemi edhe pas 30 vjetësh.
- Kërkojmë ndryshimin dhe përmirësimin e ligjit që ndryshon dhe persekuton dhe diskriminon 100-ra të burgosur prej 30 vjetësh. Një ligj që u vendos në 2007 dhe na diskriminon pafundësisht. Në këtë ligj ka një luftë brenda llojit.
- Përfshirja e letrave me vlerë me dëmshpërblim financiar.
- Kërkojmë kthimin e pareve të muajit në faturën e dëmshpërblimit për përfitim falas të banesave.
- Kërkojmë kompensim fizik të materialeve të konfiskime, pronat e tokat bujqësore të grabitura nga diktatura kërkojmë të na i rikthejnë pa vonesë.
- Njohja dhe vlerësimi i punës së pa paguar ku për dekada kemi nxjerrë ar dhe flori dhe kemi mbushur buxhetin e shtetit, ne sot nuk na njihet asnjë e drejtë nga kjo punë e papaguar.
- Kërkojmë një status të veçantë, paketë ligjesh, për pensionet. Si ka mundësi ne që jemi dëmtuar nëpër kafka nëpër miniera dhe sot nuk jemi të zotë të punojmë dhe nuk kemi forcë të merremi me biznese apo me tendera të koncesioneve, të rrugëve apo aerodromeve apo të gëzojmë sot si të gjithë shtetet e Europës, vendet ish-komuniste, kërkojmë të trajtohemi me të paktën 500 milek të vjetra në muaj. Kërkojmë të përfitojmë nga kjo sepse tani gjallë vetëm 700 veta janë, ndërkohë kjo po përfitohet vetëm nga ata që dekorohen nga Presidenti, ne të tjerët jemi të përjashtuar.
- Kërkojmë financa për sëmundjet, sepse duke punuar në miniera të gjithë të burgosurit që kemi punuar në miniera e galeria kemi sëmundje që nuk largohen asnjë herë. Është një sëmundje në mushkri që është shkaktuar në miniera.
- Kërkojmë prej 30 vjetësh vlerësimin e krimeve kundër komunizmit si krime kundër njerëzimit. Një shoqni nuk mund të bëjë përpara nëse këto krime nuk dënohen sipas praktikave kombëtare të vendeve ish-komuniste.
I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve që të vëzhgojnë shkeljen e të drejtave tona sepse ligji është diskriminues ndaj nesh është duke shkel çdo të drejtë tonën dhe sipas ligjit ndërkombëtarë.
Ne po presim që kjo derë të na hapet dhe të vazhdojmë këtë grevë. Ne s’kemi mundësi financiare dhe kjo është instituti ku ne duam të paraqesim dhe të zhvillojmë grevën tonë. Ne kishim shumë vetë të tjerë por në respektim të Covid-19 ne do të dalim vetëm 5 vetë.”, përfundoi ish i përndjekuri.
(R.G/Faxweb.al)