Po bënin dorëzimin e farave të kanabisit, arrestohen në flagrancë dy persona në mes të Vlorës
Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë dy të rinj të cilët u kapën nga uniformat blu duke bërë shkëmbimin e një sasie farash kanabisi në lagjen ‘Pavarësia’ të qytetit bregdetar.
Në pranga kanë përfunduar shtetasit me inicialet E. B., 29 vjeç dhe A. M., 20 vjeç, banues në Vlorë, ndërkohë që në cilësinë e provës material janë sekuestruar 1870 fara kanabisi dhe 2 aparate celular.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i plotë i policisë: Vlorë
Vijon puna e pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen fara kanabisi, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë, në zbatim të planit të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas informacioneve të marra në rrugë operative se dy shtetas ushtronin aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve, kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Si rezultat janë arrestuar në flagrancë shtetasit: E. B., 29 vjeç dhe A. M., 20 vjeç, banues në Vlorë.
Arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin E. B, duke i dorëzuar një sasi me fara kanabisi shtetasit A. M.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit A. M. dhe kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. B., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 1870 fara të bimës cannabis sativa dhe 2 aparate celular.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.