Një situatë kaotike është paraqitur mëngjesin e sotëm në njësitë administrative të Vlorës, dhe në lagjet e qytetit, ku qytetarët janë përplasur për shpërndarjen e ndihmave nga ana e pushtetit lokal.
Pa asnjë masë mbrojtëse, shumica e tyre qendrojnë në radhë ngjitur me njëri tjetrin, në mënyrë që të sigurojnë marrjen e ndonjë ndihme, raporton gazetarja e Fax News Afrovita Hysaj.
Një prej qytetareve tregon se ka djalin e paralizuar, dhe nuk ka marrë asnjë ndihmë, pasi ato ndahen sipas qejfit, dhe marrin ata që nuk u takojnë.
“Kam djalin të paralizuar dhe nuk më kanë dhënë asnjë ndihmë, japin kujt i do qejfi, kam nevojë për bebelina, nuk jam keq për një pako me makarona. U japin kujt i do qejfi”, shprehet një grua me lot në sy.
Ndërkohë që një tjetër grua shprehet se ajo rrit disa fëmijë jetimë, dhe sërish nuk ka marrë asnjë ndihmë nga ana e shtetit.
“Ku do ankohem unë, ku të shkoj”, shprehen më tej qytetaret.
Skena të ngjashme u panë dje dhe në qytetin e Beratit, ku qytetarë të ndryshëm u drejtuan tek Drejtoria e Shërbimit Social për të kërkuar pako ushqimore pasi rezervat e tyre kanë mbaruar dhe nuk kanë më asgjë çfarë të konsumojnë.
Njërëzit janë dyndur duke kërkuar ushqime ndërkohë që policia ka ndërhyrë për ti shpërndarë duke debatuar me qytetarët.
(E.K/Faxweb.al)