Sipas policisë efektivët janë lajmëruar për një konflikt në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, dhe pasi kanë shkuar aty janë ndeshur me dhunën e ushtruar nga tre vëllezerit Gerald Marini 38 vjeç, Marjus Marini 42 vjeç dhe Arjan Marini 40 vjeç.
Gjatë tentativës për t’i marrë armën e shërbimit, arma ka kryer qitje të pavullnetshme, duke plagosur efektivin, i cili u transportua në spital jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i plotë i policisë: Berat/informacion paraprak
Sot rreth orës 20:20, ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative se në lagjen “Dëshmorët e Kombit” shtetasit G.M., M.M. dhe A.M (vëllezër) po konfliktoheshin me shtetasit A.M dhe bashkëshorten e tij shtetasen O.M .
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë ku kanë ndërhyrë për shuarjen e konfliktit.
Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, tre vëllezërit kanë dhunuar, goditur dhe kanë tentuar ti marrin armën e shërbimit njërit prej punonjësve të policisë dhe gjatë konfrontimit fizik dyshohet se arma ka kryer qitje të pavullnetshme ku është plagosur në këmbë punonjësi i policisë J.Xh, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Berat, nën kujdesin e mjekëve.
Nga shërbimet e policisë është bërë, neutralizimi dhe shoqërimi i personave në konflikt dhe është siguruar vendi ngjarjes.
Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, vijon puna intensive për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.