Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme përpara zyrave të Partisë Demokratike ne lagjen numër 5 në qytetin e Kavajës, ku shtetasi Bledar Oshtuni mbeti i plagosur në këmbë.
Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, duke ngritur tensionet mes dy kraheve politikë.
27 vjeçari që mbeti i plagosur mbrëmjen e sotme është sekretari i PD-së në Kavajë, ndërsa tre personat me të cilën u konfliktua janë dy punonjës bashkie dhe një person i tretë me precendentë penale.
Mësohet se sherri nisi pasi Bledar Shtyllës i është kërkuar të largojë makinën e parkuar para zyrave një punonjës i policisë së Kavajës së bashku me shtetasin Ndriçim Jonuzi.
Ndriçim Jonuzi ose Ndriçim Tahiri ka qenë person i shpallur në kërkim dhe është me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimit kundër jetës në një nga vendet e BE-së. Ndërsa dy personat e tjerë të përfshirë në konflikt janë Markel Shtylla, Dorian Troplini.
Në qytetin e Kavajës ka shkuar menjëherë dhe kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili e quajti ngjarjen e mbrëmjes së sotme një atentat ndaj demokracisë.
Për ngjarjen e rëndë reagoi i shqetësuar dhe Presidenti Ilir Meta, zëdhënësi i të cilit njoftoi se Presidenti do të niset menjëherë në vendngjarje. Kryeministri Rama nga ana tjetër theksoi se politizimi i kësaj ngjarjeje është më keq sesa vetë ngjarja, ndërsa i bëri thirrje Bashës që të bashkohet me të për të mbështetur drejtësinë.
(E.H/Faxweb.al)