Policia e Kurbinit ka reaguar në lidhje me plagosjen e dy efektivëve policior në Mamurras. Përmes një njoftimi për publikun policia jep një version tjetër të ngjarjes ku shprehet se pas një konflikti mes punonjësve të patrullës me disa persona, një prej efektivëve policor ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar duke plagosur kolegët e tij.
Versioni i policisë nuk citon në asnjë moment se një prej efektivëve është plagosur me sende të forta, duke ngritur dyshimet për fshehjen e agresorëve të vërtetë.
Njoftimi i plotë i policisë: Kurbin/Informacion paraprak
Rreth orës 13:35, në qendër të qytetit të Mamurrasit disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet.
Një nga punonjësit e Policisë ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar dhe për pasojë janë plagosur dy kolegët e tij, I. Z. dhe F. LL., si dhe një nga personat e përfshirë në konflikt, shtetasi N. V., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga Specialistë të Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe Specialistë të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna intensive në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe po marrin dëshmi, me qëllim sqarimin në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme të kësaj ngjarjeje.
Informacion më të detajuar do të japë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në përfundim të veprimeve të para hetimore.
Kujtojmë se sipas informacioneve paraprake u raportua se konflikti nisi pasi 3 efektivë të patrullës i kërkuan agresorit Nikoll Vorfi, të largojë automjetin e parkuar kundravajtje, ndërkohë që ai nuk pranoi dhe nisi të debatonte me ta duke i ofenduar.
Efektivët pasi kanë hasur në kundërshtinë e Vorfit, kanë kërkuar kontrollin e automjetit, gjë e cila nuk ndodhi pasi agresorit iu bashkuan dhe shokët e tij që ndodheshin në një kafe aty pranë.
Konflikti agravoi deri në përdorimin e armës dhe për pasojë njëri prej policëve u plagos me plumb në këmbë, ndërsa tjetri me sende të forta.
Efektivët e patrullës së policisë të lënduar në krye të detyrës janë Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj, po ashtu i plagosur ka mbetur dhe vetë agresori Nikoll Vorfi.
Njoftimi i policië rrëzon totalisht versionin e raportuar nga gazetarët sipas burimeve në terren duke ngritur aludimet për fshehje të ngjarjes për shkak të lidhjeve të personave të përfshirë me eksponent me lidhje me mazhorancën.