Ardhja e vaksinave Pfizer në Shqipëri ndezi dhe debatin mbi kushtet e transportimit dhe depozitimit të tyre. Kjo e shtyu kryeministrin Rama që të demostrojë publikisht me kamerën e ERTV ambientet ku janë depozituar vaksinat në depon farmaceutike të QSUT-së dhe ISHP-së.
Rama përmes një video-je të postuar në facebook i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe shefja e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, tregoi frigoriferët ku mbahen vaksinat e ardhura nga fabrika e BioNTech në Gjermani.
Postimi i plotë i Ramës: QSUT dhe ISHP. Në depon moderne farmaceutike që kemi ndërtuar për spitalin, sipas standardeve të Bashkimit Europian, ku është ngritur edhe zinxhiri ftohës i vaksinave, si dhe në Institutin e Shëndetit Publik, ku ruhet aktualisht vaksina Pfizer.
* me magazinën që gjetëm si depo kooperativash në QSUT-në e rrënuar të 7 viteve më parë, sot do ta kishim të pamundur të siguronim ruajtjen e vaksinave.