Ditën e sotme është mbajtur një protestë në Maqedoninë e Veriut nga familjarët e pesë shqiptarëve të dënuar për rastin “Montra”.
Familjarët e të dënuarve për rastin “Monstra” e mbajtën protestën në Shkup, së bashku me shqiptarët që u janë përgjigjur thirrjes së tyre, në mënyrë që të kërkojnë drejtësi për këtë rast.
Ata besojnë se pesë shqiptarët e dënuar, 3 prej tyre me burg të përjetshëm, janë të pafajshëm dhe i gjithë procesi ka qenë i montuar politikisht.
Protesta e shqiptarëve vijon paqësisht, raporton Euronews, pasi nuk ka plane nga forcat e policisë për të ndaluar tubimin, siç ndodhi pak ditë më parë.
Me thirrjet “Duam drejtësi” dhe pankarta ku shkruhej “Stop standardeve të dyfishta”, protestuesit vendimet për dënimin e shqiptarëve i cilësojnë si procese të montuara politikisht. Rasti “Monstra” i referohet vrasjes së pesëfishtë në rrethinën e Shkupit gjatë vitit 2012.
Të enjten e 12 prillit 2012, Filip Slavkovski, Aleksandar Naqevski, Cvetanço Acevski dhe Kire Triçkovski nga Radishani si dhe Borçe Stevkovski nga Cresheva, u gjetën të vrarë me armë zjarri pranë liqenit të Hekuranës në Shkup. Policia në Maqedoninë e Veriut në maj të atij viti ndërmori një aksion në Shkup, duke vënë në pranga dhjetëra shqiptarë.
Ministrja e Punëve të Brendshme në atë kohë, Gordana Jankollovska deklaroi në media se përgjegjësit e vrasjes së pesëfishtë ishin kapur, ndërsa theksoi se ata ishin të lidhur me ideologjinë fundamentaliste islame.
(E.H/Faxweb.a)