Kompania italiane ‘Voltalia’ me kapital francez do të ndërtojë parkun fotovoltaik në Karavasta, ndërsa u përzgjodh fituese në një short ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama.
Sipas të dhënave paraprake të bëra publike nga kryeministri Rama kjo kompani do të ndërtojë këtë park me një çmim prej 24.89 euro për megavat.
I gjithë investimi do të shkojë rreth 100 milion euro, çka për Ramën është një lajmi mirë në këtë kohë pandemie.
“Çmimi mbase justifikon edhe mbylljen hermetike të ofertës. Më vjen mirë që arritëm të finalizonim këtë proces ku na hyri në mes epidemia e cila na solli shumë pezullime dhe shumë shtyrje të proceseve që ishin shpallur.
Shohim finalizimin e një përpjekje të madhe për të hapur një faqe të re në sistemin tonë energjetik duke përfshirë në mënyrë domethënëse një volum, të parin të energjisë diellore dhe një investim mbi 100 milion euro që do bëhet nga një kompani me prestigj të madh ndërkombëtar dhe hyrja në ekonominë shqiptare të një aktori francez. Kjo është një ditë shumë pozitive për ekonominë, Shqipërinë”, tha Rama.
Ky i fundit u shpreh se qeveria do të ndërtojë vetë dhe hidrocentralin e Skavicës e cila do të jetë dhe një vepër madhështore.
“Në shumë shpejt do të dalin në një proces tjetër të vonuar, projektimi dhe ndërtimi i Hidrocentralit të Skavicës. Është një objekt i domosdoshëm, i vështirë dhe për këtë arsye qeveritë e kanë pasur objektiv. Kemi vendosur ta ndërtojmë me forcat tona. Do e ndërtojë shteti. Përveç Skavicës, ka edhe projekte të tjera. Shumë shpejt do të materializojmë këtë investim”, tha Rama.