Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili po ndjek procesin e votimit të anëtarësisë në Gjirokastër, dha një deklaratë për mediat, në të cilën sot theksoi se “pritshmëria e PD, jo vetëm për Gjirokastrën, po për të gjithë Shqipërinë, është një fitore e thellë.
Në një prononcim për mediat, Bardhi deklaroi se procesi ka ecur mjaft mirë dhe pritet të zgjidhen kandidatët më të mirë që do të futen në listat për kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike.
“Siç e shikoni, interesi i anëtarëve të partisë është shumë i madh që tregon se ky është një proces që respekton dhe dëgjon zërin e qytetarëve, në rastin konkret të anëtarëve të PD, për t’u shprehur ata mbi cilësinë e kandidatëve që në fund, Gjirokastra, nga PD të përfaqësohet me njerëz me integritet, që anëtarët e partisë i besojnë dhe i kanë votëbesuar.
Uroj shumë që deri në përfundim, procesi të shkojë pa probleme siç vijon deri në këto momente, dhe në fund të procesit të zgjidhen më të mirët. Pra ne të kemi mundësi të paraqitemi tek qytetarët e qarkut të Gjirokastrës me njerëzit më përfaqësues të tyre, me njerëzit më të ndershëm, më të mirë dhe që do të jenë përfaqësues real të interesit të qytetarëve dhe jo të interesit të partive politike, të kryetarëve të partive politike apo, siç ndodh me kundërshtarin tonë, të interesit të krimit të organizuar dhe të parave të pista të krimit të organizuar”, thotë Bardhi.
I pyetur se si është bërë përzgjedhja e këtyre kandidatëve që janë futur në listë, Bardhi tha se: “Së pari, ka pasur një fazë të parë të procesit, ku secili prej anëtarëve të partisë ka pasur mundësi të propozojë emrat e kandidatëve për deputetë apo për kryetar bashkie. Dhe secili prej emrave që është në listën që është sjellë për konfirmim, ka qenë një emër i propozuar nga anëtarët e partisë.
Më pas një komision i vlerësimit të kandidatëve ka bërë vlerësimin e tyre dhe ka sjellë për konsultim disa emra tek anëtarët. Sigurisht, që kjo nuk është lista finale e kandidatëve për deputetë apo për kryetarë bashkie, do të ketë një fazë tjetër vlerësimi veçanërisht të integritetit të secilit prej kandidatëve, përsëri nga komisioni i vlerësimit dhe, më pas, do të ketë një filtër real vlerësimi të kontributeve në parti, veçanërisht gjatë këtyre 7 viteve në opozitë, nga kryesia qëndrore e partisë dhe më pas nga Këshilli Kombëtar.
Pra kjo nuk është lista finale e deputetëve, është lista e kandidatëve për të qenë kandidatë për deputetë.
Ajo që është e sigurt është që përfaqësuesit e Partisë Demokratike që do të jenë në listën finale për deputetë do të jenë përfaqësuesit më të mirë të qytetit të Gjirokastrës dhe të qarkut Gjirokastër.”