Martesat fiktive, janë gjetur si “shpëtim” nga burrat shqiptarë me precedentë penal. Ata gjejnë gra të shtresave vunerabël të cilat pranojnë t’u japin mbiemrat e tyre këtyre personave kundrejt pagesave qesharake.
Fenomeni evidentohet nga avokati Gentjan Sejrani. Ai vë në dukje se pasojat për këto gra janë të mëdha, ku shpesh ka raste që si baba i fëmijës së tyre njihet ligjërisht personi që pas martesës fiktive është larguar drejt një vendi të BE. Seriani sugjeron filtra, të tilla si kontrolle në sistemin TIMS në rastet kur burrat kërkojnë të marrin mbiemrin e grave me të cilat martohen.
“Në fakt është në rritje numri i martesave fiktive, për shkak se kemi shumë të rinj të cilët dëbohen dhe më pas marrin ekspuls në vendet e Bashkimit Europian. Gjë që do të thotë se e kanë të pamundur të rikthehen në këto vende. Prandaj e vetmja mënyrë që kanë gjetur për t’u rikthyer atje, janë martesat fiktive. Pra vajzat të cilët kanë probleme ekonomike dhe janë të gatshme kundrejt një pagese minimale të martohen dhe të ndihmojnë personat që kanë ekspuls në vende të BE dhe më pas këta persona ndryshojnë mbiemrin dhe pasaportën dhe më pas kthehen sërish në vendet e BE. Ky është një problem jo vetëm për atë vajzë apo grua e cila pas martesës nuk e di më fare se ku ndodhet ai personi por ka eedhe shumë vështirësi për të zgjidhur martesën. Ka raste të caktuara kur persona të tillë me precedentë kriminalë, nuk u japin as lekë në dorë vajzave në pamundëi ekonomike me të cilat martohen, por thjesht u shlyejnë borxhet tek dyqani i lagjes”– u shpreh avokati.
Një nga qarqet ku ky fenomen njeh rritje thotë avokati është Elbasani për faktin se elementët kriminal në këtë qytet janë të shumtë dhe familjet me probleme ekonomike dhe sociale po ashtu. Shpesh burrat e martesave fiktive thotë ai paguajnë borxhet në dyqanet e lagjeve në këmbim të mbiemrit.
Një nga lagjet ku burrat martohen me gra nga shtresat vulnerabël është ajo Rrapishtë në Elbasan, për shkak të kushteve ekstreme që jetojnë shumë familje. Rreth 10 përqin e martesave vjetore vjen nga kjo kategori.