AktualitetFlashKryesoreTe FunditTe GjithaVeç e Shuplakës

Përplasja Mynyr Koni-Dhori Kule / Çfarë fshihet pas ‘luftës’ për autonomi?

Debati në Universitetin e Tiranës ka nisur prej disa ditësh, kur në media u bë publik denoncimi se pedagogët nuk kishin marrë rrogat.

I pari që denoncoi rastin ishte pedagogu Fabian Topollaj, pjesë e këshillit Bashkiak Tiranë.

Menjëherë pas denoncimit, të tjerë pedagogë dhe stafet e universiteteve pranuan vonesën dhe reagimet e shumta në media, detyruan ministren e Arsimit, Lindita Nikolla të reagonte.

Në një tryezë të mbledhur për një universitet privat, Nikolla kërkoi ndjesë për vonesat e rrogave për universitetet publike…

Reagime dhe kundër reagime shoqëruan javën që lamë pas deri në deklaratën e beftë të Dhori Kules ditën e djeshme përballë Kryeministrit Rama: “Na vjen turp të dalim rrugës, se dëgjojmë që thonë se na u vonuan rrogat tre ditë, na u vonuan tre ditë dhe ne u ankuam. Kush ju jep të drejtë të talleni me integritetin tonë?!”

Deklarata e Kules u kritikua gjerësisht nga ata që kishin denoncuar vonesën e rrogave dhe të kushteve në universitetet e vendit.

Por kjo duket se ishte vetëm maja e ajsbergut, pasi ditën e sotme një përçarje e hapur është bërë publike në media.

Ajo që në shumicën e rasteve flitej nëpër statuse Facebook-u apo në kafenet e UT-së, u bë publike:“Përplasja Mynyr Koni-Dhori Kule.”

Deklaratat e mëposhtme e provojnë më së miri këtë fakt.

Paraditen e sotme, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, doli para mediave një ditë pas takimit që senati zhvilloi me Kryeministrin Rama dhe ministren Lindita Nikolla.

Koni tha se problemi i rrogave ka nisur që në vitin 2017, për shkak të  një pengimi nga ana e Kancelarit dhe Bordit të Administrimit të UT-së.

“Problematikat janë bërë publike tashmë. Që në janar 2017 me krijimin e strukturës së bordit të administrimit sipas ligjit, kancelari i universitetit i zgjedhur sipas ligjit ka ushtruar presion. Ka kryer veprime të vazhdueshme, pavarësisht kërkesave tona.

Nuk ka patur zgjidhje, vetëm agravim të situatës. Me miratimin e buxhetit, veprimet e tyre kanë qenë në kundërshtim me ligin, kur kancelari nuk ka të drejtën e punëdhënësit po ashtu dhe bordi i administrimit, pasi ligji i ka dhënë vetëm të drejtën e administrimit.

Këto veprime kanë çuar në një situatë të rëndë, në vonesat e pagave, 10-15 nga marsi e në vazhdim duke bllokuar siguracionin. Kulmi arriti në mospagesën e punonjësve të rekrutuar, shenjë e qartë e presionit të tyre.” tha Koni.

Pas deklaratës së Konit, në seancën plenare në Kuvend, ish-Kryeministri Sali Berisha, mes akuzave të forta drejtuar qeverisë Rama, denoncoi atë që sipas tij, qeveria po bën me pedagogët dhe artistët.

I ndalur tek pedagogët, Berisha tha se në thelb çështja qëndron tek “rrëzimi” i Konit, dhe lufta e interesave në UT.

“Pasi dështoi të emërojë rektorin me sikarët e tij, Shullazët e tij, shkoi dje dhe foli me gjuhën e Shullazit para trupës akademike të universiteteve. Edhe Shullazi do ta kishte lakmi gjuhën që përdori para pedagogëve. Kjo sepse janë tenderat që duhet të bëj universiteti, dhe tani me Mynyr Konin s’bëjnë dot pazare, si me atë zonjën që kishte bërë takime dhe pazare paraprake për tenderat e universitetit.”-u shpreh Berisha në Kuvend.

Pas debatit që përfshiu Kuvendin, në sallën e UT-së, 4 dekanë dolën në një deklaratë për mediat ku kërkuan dorëheqjen e Konit, pasi sipas tyre, Koni ka kryer funksione të paligjshme.

Dhori Kule, Artan Hoxha, Artur Sula dhe Edmond Rapti, me anë të një letre drejtuar ministres Lindita Nikolla, kanë kërkuar shkarkimin e Konit.

Kule tha:

“Rektori Koni është përpjekur të kryejë në mënyrë të paligjshme funksione administrative. Një situatë shqetësuese kjo, pasi firmos kontrata tenderash, gjë që ia kemi bërë prezent “që nuk janë tuajat.”

Ndërkohë menjëherë pasi 4 dekanët kërkuan shkarkimin e Konit, në media kanë dalë zëra kundër, që akuzojnë dekanët si të përfshirë në fushatat publicitare të PS-së, nëpërmjet Fondacionit “Qemal Stafa” të drejtuar dikur nga Saimir Tahiri.

Pse kjo përplasje?

Konflikti mes rektorit të UT-së, Mynyr Koni dhe Bordit Administrues të UT-së nuk ka nisur sot.

Që pas zgjedhjes së Konit në krye të UT-së, ka patur disa incidente domethënëse për marrëdhëniet mes rektoratit të UT-së dhe Bordit Administrues.

Akuza për ndërhyrje në kompetenca degraduan në shtatorin e 2017-ës, kur pas një kallëzimi nga kancelari Robert Skënderi, për përdorimin e një automjeti, Mynyr Koni përfundoi në Polici.

Gazetari Flamur Vezaj, shkruante asokohe se përplasjet mes Bordit dhe Konit, kanë patur si shkak kryesor  një fushë në Qytet Studenti, që sipas tij, ka patur një lidhje të fortë interesash, ku është punësuar si “përmbarues” Emiljano Shullazi.

Mbetet ende i paqartë thelbi i përplasjes mes Rektorit dhe Bordit Administrues të Universitetit të Tiranës.

Opozita akuzon qeverinë se po përpiqet të kapë universitetin e Tiranës për të ndarë tenderat.

Qeveria nga ana tjetër shprehet se përplasjet mes Bordit dhe Konit janë problem i universitetit dhe që duhen zgjidhur mes tyre me anë të autonomisë së plotë.

Rama e quajti dje UT-në “bishti i kavallit” dhe se nuk donte të shkonte deri aty sa “të priste koka”.

Ndërkohë që sot, 4 dekanë kërkojnë shkarkimin e Konit?

Çfarë fshihet pas ‘rrogave të prapambetura’ dhe kërkesës për autonomi?

A ishte vonesa e rrogave sebepi për të dalë në sipërfaqe një konflikt më i thellë që ka përfshirë Universitetin e Tiranës që prej momentit kur Mynyr Koni shkeli në këtë Universitet?

Mbetet për t’u parë lëvizja e rradhës, kësaj here nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ndërkohë që në zyrën e saj duhet të ketë mbërritur letra e hapur e 4-dekanëve që kërkojnë heqjen e Konit.

S’duhet harruar fakti që Koni dhe Kule, kanë qenë të dy miq të afërt deri në momentin që Koni u zgjodh rektor me propozim të Dhori Kules. Ishte Kule ai që propozoi për herë të parë emrin e Mynyr Konit në krye të Universitetit të Tiranës ndërsa sot, kërkon shkarkimin e tij.

Përplasja e parë zyrtare mes dy miqve, që sot janë kthyer në ‘armiq’ ishte në vitin 2017, kur Bordi i preu rrogën për një muaj Konit me arsyen se ky i fundit i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Me kthimin e Konit, Bordi kërkoi audit dhe Kule doli haptaz për herë të parë kundër Konit:

Çdo ndërhyrje apo kompetencë e çdo organi një autoriteti tjetër nuk është shpërdorim detyre, por vepër penale, sidomos kur krijon pasoja. Koni kërkon të sillet me ligjin e vjetër, ndërkohë që i riu ka 2 vjet që është miratuar. Duke vepruar me këtë ligj janë bërë shkelje shumë të rënda, janë firmosur tendera.” tha Kule në 2017.

Fjola Graçi – Faxweb.al

Artikuj të Ngjashëm

1 thought on “Përplasja Mynyr Koni-Dhori Kule / Çfarë fshihet pas ‘luftës’ për autonomi?”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *