Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe GjithaVeç e Shuplakës

2 vite e 3 muaj shemben brenda minutash/ Gjithçka ndodhi sot te Teatri Kombëtar që u shndërrua në gërmadha: Lot, dhunë dhe akuza për shitje ‘kauze’

Me kalimin e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës, me një vendim të çuditshëm të Këshillit Bashkiak, me deklaratat e Ramës që po të ishte për të Teatri do të ishte shembur këtu dhe 20 vite më parë, sinjalet e artistëve në shesh ishin ndezur, mbrëmë edhe më shumë se kurrë. Sinjalet ishin të qarta, Erion Veliaj, i përdorur si një mashë nga ana e kryeministrit, do të bënte gjithçka për të bërë shembjen e godinës në fundjavë, atëherë kur qytetarët nën terrorin e një armiku të padukshëm, me emrin Covid do ta kishin edhe më të vështirë të dilnin nga shtëpitë e tyre, për t’iu bashkuar artistëve.

Njerëzit e medias, ishin me frikë, me celularët te koka, dhe shumë prej tyre të pagjumë me turne në sheshin e Teatrit, për të qenë gati për të dokumentuar një nga shembjet më të turpshme të historisë së post diktaturës shqiptare, atë të një monumenti kulture, që sado i rrënuar mund të ishte, mbante me vete historinë e dhjetra artistëve që janë ngjitur qoftë edhe njëherë te vetme në atë skenë. Ishte ora 04:00 e natës ku kishte mesazhe tërheqjeje nga ana e policisë, dhe u duk se dhe kjo e dielë do të ishte e qetë,  dhe madje u shpresua derinë fund se qeveria shqiptare, apo Bashkia si manikin, do të kishin reflektuar nga thirrjet për dialog, apo nga sinjalet edhe ndërkombëtare se ky veprim ishte i paligjshëm.

Por jo, gjithçka kishte qenë një taktitë tinzare e Policisë së Shtetit, që si rrallëherë u vendos nën këmbët e një Bashkie, pasi mësymja nuk do të vononte, pikërisht duke shfrytëzuar dhe uljen e numrit të protestuesve dhe artistëve në shesh. Gazetarët e Fax News Edona Haklaj, Sokol Dema dhe Ema Shazivari, që e kishin kaluar gjithë natën në sheshin e Teatrit, dhanë alarmin: Nis tërheqja zvarrë e protestuesve, qindra për të mos thënë me mijëra punonjës të policisë tashmë kishin marrë peng Teatrin, dhe po nxirrnin me dhunë prej aty të gjithë artistët.

Radhën e kishin të parët Neritan Liçaj, Astrit Seranaj, artiste dhe pjestare të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkohë që nuk u kursyen as gratë, të cilat u shkelëm me këmbë, nga policët me maska, që sipas artistëve ishin dhe të armatosur. Artistët nuk janë kriminelë, dhe aq më pak të kenë lidhje me dhunën, pasi gjithë jetën ia kanë dedikuar skenës, publikut dhe emocioneve të fjalës, dhe padyshim që do të humbisnin në këtë përballje fizike.

Me bujë u përcoll dhe shoqërimi për disa minuta i kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, e cila tentoi që të çante gardhin e policisë, por nuk ia doli pavarësisht vrapit të saj, në një kohë kur mes të shoqëruarve ishin dhe ish deputetët demokratë si Flamur Noka apo Belind Këlliçi. (Lexo edhe lajmin)

Pasi ishte larguar nga sheshi i Teatrit pak para se policia të mësynte, Lulzim Basha u rikthye sërish rreth orës 05:30 të mëngjesit, por tashmë pas shpinës së tij do të nisnin të dukeshin rrënojat e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që menjëherë pas kësaj ai njoftoi një mbledhje në selinë blu, ku dhe së bashku me aleatët opozitarë njoftoi për nisjen e protestave mbarëpopullore, pavarësisht se vendi është nën gjendjen e fatkeqësisë natyrore deri në datën 23 Qershor, çka i bën të pamundura ligjërisht grumbullimet. (Lexo edhe ketu)

I pari që u shfaq i përlotur ishte aktori Mehdi Malka, i cili e pranoi se ndihej në njëfarë mënyre dhe i braktisur nga ana e qytetarëve, edhe pse me kalimin e kohës, këta të fundit u shtuan, por përveç përballjes me policinë ku pati dhe të lënduar nuk mundën që të shpëtonin dot asgjë, pasi përballë 1 mijë efektivëve të policisë ishte e vështirë të çahej.

Pasi kishin mbaruar shembjet, Policia liroi pothuajse të gjithë artistët, ndërkohë që Neritan Liçaj, ishte një prej atyre që përveç shenjave të dhunës fizike, shfaqte dhe shenja të një rëndese psikologjike, si pasojë e të cilës nuk gjente dot as fjalët.

Minutë pas minute artistët u bindën që nuk mund të bënin më asgjë për godinën e shembur të Teatrit, ama lufta e tyre tashmë është e shpallur, do të jetë ajo për rrëzimin e qeverisë, të cilën e gjejnë fajtore për veprimin e kryer. Regjisori Edmond Budina ishte i pari që deklaroi se beteja e tyre do të vijojë, në daç me opozitën dhe në daç pa atë, ndërkohë që i bëri thirrje dhe presidentit të vendit që të shpërndante parlamentin, njësoj siç premtoi në protestën e 2 Marsit.

E teksa sheh të rrëzohet një nga kauzat më afatgjata, më aktive, të përditshme e me fjalime publike, natyrshëm lind pyetja se çfarë po ndodh me demokracinë në vendin tonë? Shumë aktivistë thonë se jemi në prag të një diktature, më moderne se ajo e Enver Hoxhës, ndërkohë që akoma çdo ditë dhe më shumë qytetarët i kanë sytë jashtë vendit, në pritje të hapjes së kufijve për t’ia mbathur drejt Europës. Dhe në këtë pikë lind një tjetër pyetje: A mund të dorëzohemi kaq lehtë?! (Elsa Kallanxhiu/Faxweb.al)

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *