Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca, gjatë një takimi të mbajtur me përfaqësuesit e partive poolitike në qarkun e Elbasanit, u pyet në lidhje me përdorimin e të dhënave personale në funksion të fushatës së PS-së. Soreca u shpreh se pret përfundimin e hetimeve nga SPAK për tu qartësuar dhe për të dal më pas me një deklaratë publike.
“Ne po e ndjekim shumë afër problemin. Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave po heton gjithashtu dhe SPAK, të presim përfundimet e hetimeve dhe më pas ne do të jemi një deklaratë”, tha Soreca.
Në takim ishin dhe ambasadorja franceze, Elisabeth Barsacq, dhe ambasadorin gjerman, Peter Zingraf.
Ambasadorja franceze në fjalën e saj përpara mediave u bëri thirrje forcave politike të shmangin gjuhën e urrejtjes, si dhe u bëri thirrje autoriteteve të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Unë mendoj se heqja e gjuhës së urrejtjes do të ishte gjëja tjetër e rëndësishme për zgjedhjet në Shqipëri. Në fakt gjithçka që tha Soreca, po e përsëris dhe unë , po e theksoj se zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme dhe askush të mos intimidohet përmes shit blerjes së votës”, u shpreh ambasadorja franceze.
Nga ana tjetër ambasadori gjerman, Zingraf theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve në rrugëtimin e Shqipërisë në BE.
“Këto zgjedhje janë shumë thelbësore për Shqipërinë dhe për Bashkimin Europian. Ne do të jemi këtu ditën e votimit dhe mezi presim ditën e diel për mbajtjen e tyre”, tha Zinggraf.