Sociologia Entela Binjaku ka zhvilluar një intervistë për Fax News ditën e sotme ku ka folur për rastin e rëndë të përdhunimit të një 15 vjeçareje në Mirditë nga 5 persona, ku më i vogli ishte 17 vjeç dhe më i madhi 44 vjeç.
Sociologia këshillon familjen që të jenë të fortë dhe të bashkohen me njëri-tjetrin në mënyrë që ta kalojnë këtë situatë.
Ndër të tjera, ajo u shpreh se këta familjarë kanë nevojë për këshillim dhe për mbështetje, duke shtuar se protestat e mbajtura dje dhe ato që do mbahen në vazhdim janë një formë mbeshtetjeje nga qytetarët për familjen e prekur nga ky rast i rëndë.
Sociologia Binjaku u ndal dhe te masat që duhet të marrë shteti. Ajo u shpreh se shteti shqiptar i ka të gjitha mekanizmat dhe duhet që t’i bëjë shembull autorët duke i shkuar deri në fund rastit dhe duke dhënë dënimet e merituara në mënyrë që t’i tregojë popullit që ai është këtu.
Pyetjes a duhet që vajza dhe familja e saj të largohen nga vendi ku banojnë, Binjaku iu përgjigj duke thënë që jo. Sipas asaj, zgjidhja nuk është arratisja, por përballja me problemin.
Intervista:
Keshilla? Shoqeria duhet të komunikojë më shumë me fëmijët. Duhet të rritet vigjilenca. Mendoj se të gjitha shërbimet duhet të jenë në vigjilencë të plotë. Jo vetëm për këtë vajzë që ndodhet në ditë tepër të vështira, kur një shoqeri e tërë ka mësuar historinë e saj, por pasojat janë të gjithanshëm. Familjarët duhet të jenë të fortë, të bashkohen me njëri-tjetrin. Këta familjarë kanë nevojë për këshillim dhe kanë nevojë për mirëkuptim dhe mbështetje. Besoj se protestat e djeshme dhe të tjerat që do vijnë tregojnë se ne jemi pranë tyre.
A duhet të rikthehen në shkollë? Të gjitha duhen menduar. Të ndihen dhe të bullizuar pas gjithë kësaj më duket e paimagjinushme. Nuk besoj se nxënësit e tjerë do ta bëjnë këtë. Ata duhet të jenë të solidarizuar me çdonjeri që ndihet i pafuqishëm.
Masat? Shteti shqiptar i ka të gjitha mekanizmat, sidomos kur bëhet fjalë për të miturit. Shteti shqiptar duhet të japë një shembull si ndëshkohen këto raste, nga fillimi deri në fund. Cilat janë rrethanat që i çojnë këta njerëz drejt akteve të tilla. Kam dëgjuar mjaft qytetarë që shkojnë deri në ekstrem për sa i përket ndëshkueshmërisë. Shteti duhet të marrë masa. Shteti i ka të gjitha mënyrat dhe duhet t’i vijë në ndihmë. Nëse këta do dënohen, ky është një sinjal që shteti i jap qytetarëve që ai është këtu dhe nëse nuk e ndaloi dot atë, tregon që do ndalojë të tjerë.
A duhet të largohet vajza nga zona ku banon? Në zonat e vogla është mjaft e vështirë që presioni i opinionit publik mbi individin të jetë i përballueshëm. Nuk mendoj se rruga është arratisja, zhvendosja. Mendoj se një kohë shkëputjeje mund t’i bëjë mirë që ta marrin vetë. Por ajo që duhet është solidariteti, dhënia e ndihmës. Besoj shumë që me kalimin e kohës, kjo histori do të mund të rikuperojë. Por nuk mendoj se zgjidhja është largimi nga zona. Rruga më e mirë është që ne të ndërgjegjësohemi, të mos i biem në qafë të tjerëve. Më shumë se t’i largojmë, duhet t’i edukojmë me atë që i pret nëse kryen një shkelje.
(E.H/Faxweb.al)