Radhë të gjatë të pensionistëve janë vënë re mëngjesin e sotëm në postën e qytetit të Vlorës. Siç shihet dhe në pamjet e transmetuara në Fax news, një pjesë e konsiderueshme e pensionistëve nuk kanë marrë asnjë masë mbrojtëse, ndërkohë që vetë të moshuarit nuk respektojnë asnjë distancë.
Në hyrje të institucionit nuk është marrë asnjë masë për të vendosur një roje, i cili të masë qoftë edhe temperaturën e personave që presin në radhë. Nga ana tjetër pensionistët shprehen se kanë nevojë urgjente për para, dhe kjo i detyron të qendrojnë edhe në radhë të gjata, edhe pse mund të rrezikojnë infektimin nga Covid 19.
Një pjesë e mirë e pensionistëve janë shprehur vazhdimisht edhe në media, se nuk i kanë mundësitë financiare për ti blerë maskat, ndërkohë që nuk është parë e udhës që atyre iu jepen falas nga ana e shtetit.
Edhe pse është apeluar shpesh së fundi nga specialistët e shëndetit publik për përdorimin e maskave, ende kjo nuk është përkthyer në një politikë të qartë nga ana e Ministrisë, ku të mendohet edhe shpërndarja falas për qytetarët, siç edhe ndodh në shtete të tjera të botës.
(E.K/Faxweb.al)