Gjykata e Posaçme e Apelit ka pranuar kërkesën e gazetarëve Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, duke hequr kështu vendimin për sekuestrimin e serverave të Lapsi.al.
Pas publikimit të lajmit nga Lapsi.al se PS-ja posedon një databazë me të dhëna konfidenciale të votuesve në Tiranë dhe e përdor për qëllime elektorale, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me Prokurorinë kanë vendosur të sekuestrojnë serverat e portalit.
Mirëpo, Gjykata e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut urdhëroi Gjykatën e Posaçme për Korrupsion dhe Krim të Organizuar të mos sekuestrojë serverat e Lapsi.al.
Ditën e sotme është zbardhur dhe vendimi i Apelit të Posaçëm që i ka dhënë të drejtë ankimimit të drejtuesve të Lapsi.al dhe i ka hequr sekuestron serverave të Lapsi.al.
“Menjëherë pas vendimit të Strasburgut, drejtuesit e Lapsi.al apeluan vendimin. Ishte ky argumenti kryesor që Gjykata e Apelit të Posaçëm për të mos vendosur sekuestron e serverit të Lapsi.al. Gjykata e Strasburgut për të Drejtat e Njeriut urdhëroi që të mos jepej ky vendim”, raportoi gazetari i Fax News, Elis Myrta.
(E.H/Faxweb.al)