Pas përfundimit të procesit të “Primareve” në degët e PD-së, kryedemokrati Sali Berisha ka dalë në konferencë me Komisionet e Organizimit dhe Numërimit.
Berisha u shpreh se procesi nuk ishte i përsosur por u bë gjithçka ishte e mundur për transparencë dhe votë të lirë të demokratëve. Ai tha se dita e sotme shënon një realitet të ri për qytetarët shqiptarë dhe se kjo forcë politike shkon “ballëhapur” në zgjedhjet lokale të majit.
Berisha konferencë me Komisionet e Organizimit dhe Numërimit:
“Sot çdo anëtar i PD-së ndihet më i lirë, dinjitoz dhe i motivuar. Vendoset sot një standard demokratik i paparë më parë në Shqipëri çka e bën sot PD-në forcën më të fuqishme politike, më të përkushtuarën për lirinë dhe të drejtat e anëtarëve të saj dhe nesër në pushtet të qytetarëve shqiptarë. Procedura e Primareve sot shënoi hapjen reale, institucionale të Partisë Demokratike, morën pjesë kandidatë si vullnet i lirë i anëtarëve.
Qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë ide, një të dhënë se çfarë po ndodh brenda atij bodrumi, apo shpelle përveç klithmave të përditshme të kreut të asaj force politike, që është PS e kthyer tashmë në origjinë. Në këtë kontekst shpresoj se kjo procedurë e PD-së, këto Primare ju rikujtojnë shqiptarëve se rruga e vetme është vota e lirë e s’ka demokraci pa të. Ne shkojmë në këto zgjedhje më ballëhapur se asnjëherë, ne nuk fshehim gjë. Ne shpallëm publikisht garuesit dhe sot u numëruan votat. Ndaj dhe njëherë, shpreh vlerësimin tim më të madh për ata që morën pjesë në garë. Absolutisht nuk pretendojmë se ishte proces i përsosur por u bë çfarë ishte e mundur për procesin më të mirë”/ Faxweb.al