Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka zbuluar dy kundërshtarët e tij politik, që pavarësisht përplasjeve dhe ndasive i kanë uruar atij shërimin e shpejtë nga Covid 19.
Bëhet fjalë për ish-kreun e PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Kreshnik Çollaku dhe ish-ministrin Tritan Shehu, të cilët e kanë telefonuar duke i uruar shërim të shpejtë. Sipas Veliajt njerëzorja është ajo që duhet të mbizotërojë në çdo rast, dhe se kultura duhet të triumfojë mbi urrejtjen.
“E vërtetë është, po, pati edhe prej atyre kundërshtarëve politikë që më morën në telefon për të më uruar shërim të shpejtë. Tritan Shehu, i cili është gjithashtu mjek, e vlerësova jashtëmase.
Një tjetër koleg me të cilin kemi pasur shumë debate dhe që ka drejtuar grupin e PD-së në Këshillin Bashkiak, Kreshnik Çollaku, më uroi shërim të shpejtë. Unë besoj që njerzillëku duhet të na shoqërojë të gjithëve. Por ja që ka edhe nga ata që kanë kulturë urrejtje dhe ti se kupton se nga vjen në çështje të tilla kur preket shëndeti”, tha ai ndër të tjera për Hard Talk.
(E.K/Faxweb.al)