Kryeministri i zgjedhur, Albin Kurti deklaroi mbrëmjen e sotme se Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë Vjosa Osmanin në postin e presidentit, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ky reagim erdhi pasi Kurti mori dritën jeshile sot në kuvendin e Kosovës, gjatë seancës së jashtëzakonshme ku qeveria e tij u miratua me 67 vota pro dhe 30 kundër .
Pas seancës ku mori besimin e deputetëve për ta udhëhequr ekzekutivin, Kurti tha se tani duhet të pritet që të zëvendësohen deputetët që u zgjodhën ministra dhe të procedohet me zgjedhjen e presidentit.
“Jeta politike e zonjës Osmani, dinjiteti, përgjegjësia me të cilën ajo ka përfaqësuar qytetarët në secilën pozitë institucionale dhe së fundmi mbi 300 mijë vota të qytetarëve të Kosovës, unë besoj se e kanë paraqitur para pozitës dhe opozitës, para të gjithë deputetëve, neve si qeveri se Vjosa Osmani duhet të jetë presidente e re e Republikës së Kosovës”, -tha Kurti.
Osmani, ish-zyrtare e lartë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo është personi më i votuar në këto zgjedhje. Ish-partia e saj, LDK-ja ende nuk e ka bërë të qartë nëse do ta votojë atë apo jo për postin e presidentit.
(E.H/Faxweb.al)