Detaje të reja janë zbuluar nga arrestimi i njërit prej 3 autorëve të grabitjes së 3 milionë lekëve të reja në një pike valute në rrugën e Kavajës.
Bëhet me dije se 22-vjeçari i arrestuar, Roni Spaho ishte vënë në pranga nga policia po atë ditë, por kjo gjë u mbajt e fshehur nga autoritetet me qëllim identifikimin e dy personave të tjerë të përfshirë në grabitje.
Menjëherë pas grabitjes, policia kishte bërë të mundur identifikimin e vendodhjes së parave, të cilat ishin fshehur nga dy grabitësit me motor në një pusetë. Pas kësaj, policia nuk i sekuestroi paratë, por priti deri në momentin që dikush të shfaqej aty për ato.
Ashtu sic edhe pritej, Spaho u shfaq në vendin e parave për t’i marrë ato dhe menjëherë u ndoq dhe u vu në pranga nga policët civilë që ndodheshin aty.
Pas arrestimit të 22-vjeçarit, policia priti komunikimin mes tyre për të identifikuar dy personat me motor dhe pas kësaj, ajo njoftoi arrestimin e Spahos dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerve.
Ndërkohë policia ka sekuestruar shumën monetare të vjedhur, ndërsa materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim.
(R.g/Faxweb.al)