Një familje në Korçë, në Porodinë është përfshirë nga paniku në orët e vona të mbremjes së djeshme pasi 4 persona ende të paidentifikuar hynë forcërisht në banesën e tyre për ti grabitur.
Në një prononcim për ‘Fax News’ kryefamiljari Engjellush Dinkallari ka rrëfyer dhe momentit e tmerrit kur 4 grabitësit hynë brenda shtëpisë së tij.
Dinkallari shprehet se ata menjëherë nën kërcënimin e armëve pyetën se “ku janë paratë”, ndërsa ky ua kishte kthyer se nuk kishte para dhe se kishin hyrë në banesën e gabuar.
Ai ka rrëfyer se është goditur me grusht nga njëri prej tyre dhe i është marrë telefoni pasi kishte tentuar të kërkonte ndihmë.
Po ashtu edhe kushëriri i parë i Dinkallarit është goditur nga grabitësit. Ai është dërguar në spital pasi ka marrë plagë në syrin e majtë.
“Ka shumë goditje, në syrin e majtë, e kanë goditur me qytën e automatikut”, tha ai.
Dinkallari deklaroi se familja e tij ka parë tmerr me sy, pasi mund të kishin përfunduar dhe të vdekur. Kryefamiljari i ka bërë thirrje dhe policisë që të zbulojë autorët për ti vënë para përgjegjësisë.
“Unë që e kam jetuar dhe fëmijët e mi e dimë çfarë tmerri ishte”, tha ai.
Njoftimi i policisë
Më datë 12.08.2018, rreth orës 22.30, në fshatin Porodinë-Korçë, dyshohet se katër shtetas të maskuar, kanë hyrë forcërisht për të vjedhur në banesën e shtetasit E.D, 38 vjeç.
Menjëherë në vendngjarje, kanë shkuar shërbimet e Policisë ku sipas deklarimeve të pronarit të banesës, autorët dyshohet se kanë qenë të maskuar e armatosur dhe gjatë tentativës për të vjedhur, kanë lënduar lehtë njërin prej pjestarëve të familjes dhe më pas janë larguar duke mos arritur të realizojnë vjedhjen.
Nga ana e Policisë, janë ngritur pika të shumta kontrolli dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve si dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
(B.H/Faxweb)