EkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Paradoksi i Buxhetit! Më shumë vende të reja pune, por më pak të ardhura nga sigurimet shoqërore

Kërkesa e llogarisë nga “mësuesi” Arben Ahmetaj ndaj “nxënëses” Anila Denaj ka përvijuar edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit Kuvendor për Financat ku ministres Denaj i është dashur t’u përgjigjet 100 pyetjeve të depozituara nga anëtarët e këtij komisioni për projektbuxhetin 2020.

Në vijim të pyetjes së një dite më parë se pse të ardhurat nga sigurimet shoqërore planifikohen më të ulta në projektbuxhetin 2020 krahasimisht me atë paraardhës dhe mesataren e 4 viteve, duke marrë parasysh se në 2020-ën janë planifikuar 35 mijë vende të reja pune, nuk gjeti një përgjigje shteruese nga ana e stafit të financave, edhe pse Ahmetaj e përsëriti disa herë kërkesën e tij për të kuptuar rreth këtij paradoksi logjik.

Sipas projektbuxhetit për vitin 2020 rritja e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore është planifikuar në masën 4,6 % me ulje në raport me vitin precedent me 2,1 %.

Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore plus atyre shëndetsore parashikohen të jenë 103 miliard lekë, +4,8 %, ose 4,7 miliard lekë krahasuar me të pritshmin e vitit 2019.
Më konkretisht, ndër vite, të ardhurat nga sigurimet shoqërore nga 2016-2019 kanë qenë respektivisht në masën: 10,9%, 11 %, 7,3%, 6,7%.

Nga një skaner që i bënë sektorit të punësimit, si ministrja Denaj, po ashtu edhe kreu i komisionit Arben Ahmetaj, e konsideruan sektorin si një “kal beteje” të fituar të kësaj qeverie, që sipas Ahmetaj “është një përpjekje e suksesshme për t’u ndarë edhe pse jemi në mes të rrugës”.

Duke iu referuar raportit të Bankës Botërore, Ahmetaj citoi se në 2018-ën norma e papunësisë në vend është regjistruar 12,7%, duke na renditur si vendi me papunësinë më të ulët në rajon.

Fakt, që e mbështeti edhe ministrja Denaj duke shtuar se efekti i puënsimit është më i larti në rajon.

“Nga 62 mijë vende të reja pune të çelura në Ballkanin Perëndimor, 30 mijë i takojnë Shqipërisë”, do të citonte Denaj raportin e BB.

Sipas të dhënave të Ahmetaj, nga 2013-2019 në një legjislaturë e gjysmë të Rilindjes Socialiste kemi 297 mijë vende të reja pune më shumë.

“Kjo tregon që zhvillimi ekonomik ka shkuar tek qytetari. Premtimi që ka bërë kryeministri është aty. Është rritur paga reale, paga minimale, paga mesatare. 6% të të punësuarëve u kemi ulur taksat”- tha Ahmetaj duke shtuar se është rritur mbi të gjitha raporti kontribuues/përfitues.

Sipas financave, gjatë 2019-ës mblidhen 94,9 mld lekë të ardhura nga kontributet; kontribute të administratës plus fermerët (3 mld lekë). Në 2018-ën janë arkëtuar për këtë zë të buxhetit 92 mld lekë.

Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Niko Lera, do t’i përgjigjej Ahmetaj se nga shifrat rezulton që të ardhurat nga sigurimet shoqërore ndër vite nuk kanë pasur një ritëm të qëndrueshëm, prandaj, duke lënë të nënkuptohet që rënia e ritmit të rritjes së këtij viti nga ky zë nuk duhet të vijë surprizë.

Por Ahmetaj do të këmbëngulte sërish për një përgjigje se pse teksa të gjithë treguesit e punësimit dhe pagave janë planifikuar në rritje për 2020-ën, të ardhurat nga sigurimet shoqërore në rënie, jo pak, por 2,1%.

“Pse në 2020-ën duhet të pranojmë një ritëm më të ulët se mesatarja e katër viteve, kur kemi numër më të madh të punësuarish? 35 mijë, rritje të pagës minimale, mesatare, rritje ekonomike?” do të pyeste Ahmetaj ministren Denaj.

Ajo në përgjigjen e saj sugjeroi që çështja të shihej më gjerë.

“Duhet ta trajtojmë më gjerë cështjen në kontekstin e zonave rurale të cilat zënë 42% të të punësuarëve. Ka hapësirë për të krijuar bazë të shëndoshë për të rritur të ardhurat nga ky zë në vitet në vijim. Baza vjen e ndryshueshme, kjo jep efekte. Për vitin që vjen do të jetë më e lartë”- u shpreh ministrja duke mos dhënë një përgjigje shteruese të kënaqshme për ish-ministrin Ahmetaj.

Referuar relacionit të projektbuxhetit 2020, Të ardhurat nga “Kontributet për Sigurime Shoqërore e Shëndetësore” në vitin 2020 parashikohet të rriten me +4,8%, ose +4,7 miliardë lekë krahasuar me të pritshmin e vitit 2019. Të ardhurat nga kontributet parashikohet të jenë 103 miliardë lekë, nga 98.3 miliardë lekë që parashikohet të arkëtohen në vitin 2019. Rritja e programuar e të ardhurave mbështetet në rritjen ekonomike çka do reflektohet në rritjen e numrit të punëmarrësve; forcimin e administrimit nëpërmjet kontrollit të nivelit të pagës të deklaruar dhe deviacionit të saj nga paga reale që përfitohet; rritmin e rritjes së të ardhurave nga kontributet në dy-tre vitet e fundit;

Fondet e përcaktuara si kontigjence per indeksimin e pensioneve, do të jenë rreth 2.5 miliardë për 2020-ën.

Nuk është parashikuar ende as për 2019-ën e as për 2020-ën bonusi i fundvitit për pensionistët. Gazeta Si

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *