Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e sotme të qeverisë tha se për personat që jetojnë në fshat dhe janë prekur nga tërmeti, do të mund të jepen para në dorë, mesatarisht 20 milionë lekë të vjetra, në mënyrë që të ndërtojnë në mënyrë private banesat e tyre.
Nga ana tjetër Rama ripërsëriti se në Tiranë dhe në Durrës do të nisë rreth pranverës rindërtimi i lagjeve të reja, ku do të mund të akomodohen të gjithë banorët e prekur prej tërmetit.
“100% të qirasë për një vit për ata që nuk kanë strehë, 65% e njerëzve në nevojë hyjnë në ditët në vijim, ky proces Ogerta duhet ndjekur nga ti pavarësisht se bashkia Tiranë e ka përgjegjësinë direkte. Thjeshtë një sy nga ana e qeverisë është i nevojshëm. Sot e vijim do të akomodohen të prekurit nga tërmeti i shtatorit. Të bëhet gati për shtëpitë individuale.
Për ata që janë në fshat dhe duan të ndërtojnë vetë shtëpitë tu japim financim, mesatarisht 20 mln lekë të vjetra, pasi fitojnë kohë dhe nuk rrinë të presin të vijë dikush, por me një supervizionim që të garantojë të gjithë parametrat. Shtëpitë indiviuuale së bashku me komunitetin dhe shoqatat e solidaritetit, rruga tjetër me para në dorë për ata që paraqiten dhe duan të ndërtojnë vetë shtëpinë”, u shpreh Rama.
Ndërkohë që lidhur me Durrësin, Rama tha se rreth 60 kompani që operojnë në fushën e ndërtimit janë vënë nën hetim, për shkelje që kanë kryer gjatë punimeve. Rama foli dhe për mungesën e fuqisë punëtore, dhe për mundësinë e marrjes nga jashtë të saj.
“Në Tiranë dhe Durrës është gati të fillojë procesi i meremetimeve, në Durrës janë 12 kompani, unifikoni procedurën me Tiranën, për 24 orë të jepet leja, por plani i supervizionimit të jetë i joni. 60 firma në Durrës janë të regjistruara nga policia dhe hetimi përkatës si kompani që lidhen me godina të ndërtuara, 12 janë gati, një apel të tjera që të vijnë, nëse duan të lajnë një pjesë të shpirtit të tyre në këtë proces. Hetimi vijon.
Janë 30 persona në grupin e hetimit të policisë kriminale bashkë me prokurorët që po mbledhin dokumentet. Nuk ka asnjë provë që fshihet të gjitha vendngjarjet janë të mbyllura nga pikëpamja e dokumenteve, provave, fotografimi, etj. Duhet bërë edhe lista e kompanive që përmbushin parametrat e sigurisë që do të jenë pjesë e shortit për ti ftuar më pas në programimin e rindërtimit. Ky program kërkon një fuqi punëtore të madhe. Kemi një problem me fuqinë punëtore, të marrim edhe nga jashtë. Duhen mijëra njerëz që do të përfshihen në punë. Në seancën e datës 19 ta kalojmë në parlament, që e kemi bërë gati që në tetor për aksesin e fuqisë punëtore nga jashtë”, tha më tej kreu i qeverisë.
(E.K/Faxweb.al)