Deputeti i PD, Lefter Gështenja ka qenë i ftuar në studion e Fax News ku ka folur lidhur me përgjigjien negative të marrë nga ana e BE sa i takon mos-hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Gështenja tha se nuk kishte qenë vetoja bullgare pengesa kryesore por fakti që qeveria shqiptare nuk kishte përmbushur kriteret, duke nisur që nga korrupsioni të cilin deputeti i PD e konsideroi si problemin më të madh në vend, ku njerëz të afërt të qeverisë përfitonin tendera dhe koncesione.
“Besoj të gjithë tashmë e dinë se para 4 vitesh Rama me trumbetime të mëdha, fliste për hapjen e negociatave, kujtoj edhe postimet në facebook dhe shpampanjën e hapur. Çka tregoi se ky kishte qenë thjesht një mashtrim i bërë ndaj shqiptarëve duke ua shitur si të vërtetë. Unë nuk besoj se arsyeja ka qenë vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut.
Janë 15 kushte që Shqipëria duhet t’i plotësonte të cilat ende nuk i ka plotësuar. Ne e mbështesim hapjen e negociatave. Do të ishte një kontroll mbi pushtetin dhe mbi qeverinë. Vendet e BE-së do të fillonin realisht të ushtronin kontroll mbi sundimin e ligjit në Shqipëri. Ka disa kritere për të qenë vend anëtar i BE-së. Shqiptarët e meritojnë të jenë në BE, më shumë se gjysma e tyre jetojnë dhe punojnë në BE.
Ne të gjithë bashkë jetojmë këtu dhe e shohim se çfarë kriteresh ka realizuar qeveria shqiptare. Korrupsioni është i pari dhe ne e dimë se kjo është qeveria më e korruptuar në Europë. Kur shohim që miq të afërt të qeveritarëve marrin tendera dhe koncesione, kanë gllabëruar Shqipërinë. Sot korrupsioni është galopant, mjafton të përmendim aferën e inceneratorëve. Drejtuesi i qeverisë dhe ata që i ka emëruar janë të gjithë bashkëfajtorë. Nuk shkohet në Europë me një qeveri që blen zgjedhjet, që bashkëpunon me krimin për të blerë vota. Këto janë arsyet pse BE nuk i hap dyert.
Unë pashë reagimin e Macron lidhur me vendimin e parlamentit bullgar ku shprehte falenderimet, por thoshte se nuk duhet të kishte gëzim të parakohshëm pasi kishte punë për të shkuar në procesin final për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”– u shpreh Gështenja.