Vijon të jetë kaotike edhe sot situata në pikën e kalimin kufitar të Kakavijës, me qindra qytetarë që e kanë kaluar natën jashtë, dhe që kanë mbetur të bllokuar që prej ditës së djeshme.
Fax News raporton se vargu i makinave mbërrin deri në fshatin Jorgucat, në një gjatësi prej rreth 20 kilometrash, ndërsa ajo që është dhe më skandaloze është heshtja e të gjitha institucioneve shqiptare përballë kësaj situate, që tashmë vijon prej pothuajse tre ditësh.
Teksa flasin për gazetaren e Fax news,Ervina Shehaj qytetarë thonë se nuk kanë ushqime dhe ujë, dhe as banjo ku mund të kryejnë nevojat e tyre personale.
“Banoj në Greqi, kisha ardhur për të parë mamanë dhe babanë, kam që në tre të mëngjesit që pres, na kanë thënë që është vargu 12 kilometra, nuk kemi ecur as 200 metra. Nuk kemi ku hamë, nuk ka një banjë, nuk ka asnjë kusht. Jemi të gjithë njerëzit ngjitur, shkojmë në fushë të bëjmë shurrën”, shprehet një prej qytetareve.
“Jemi të sëmurë, kemi gra pleq, nuk ka një banjë një gjë, duhet të vdesin njerëz që të lëvizin”, shprehet një tjetër qytetar, ndërkohë që Fax news ka siguruar dhe pamjet me dron, që tregojnë radhën e gjatë që kanë krijuar mjetet në Kakavijë.
Dyndja e shqiptarëve në kufi për të udhëtuar drejt Greqisë vjen pas njoftimit të autoriteteve greke për të kufizuar me 750 veta në ditë hyrjen në kufirin grek që nga e diela e 16 gushtit në pikën e Kakavijës.
Po kështu të dielën, autoritetet greke kane njoftuar se nuk do të lejojnë asnjë udhëtar të hyjë në Greqi pa analizën molekulare të “Covid 19”. Kjo ka rritur shqetësimin tek emigrantët shqiptarë që hynë nga Greqia ditët e fundit në territorin shqiptar dhe tani kërkojnë të rikthehen në Greqi pa filluar kuadri i masave shtrënguese.
Sipas të dhënave kufitare shqiptare në ditët e para të gushtit kanë hyrë ne territorin shqiptar disa dhjetëra mijëra emigrantë të cilët do të gjejnë vështirësi te sigurojnë në Shqipëri testin molekular për “Covid 19” dhe më pas të rikthehen në Greqi.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme tha të mërkurën përmes një postimi në rrjetet sociale se pikat e kalimit të kufirit në Kakavijë dhe Kapshticë, nga pala greke,do të jenë të mbyllura për udhëtarët dhe automjetet si në hyrje edhe në dalje të Greqisë gjatë fazës së orarit prej orës dhjetë te mbrëmjes deri në orën gjashtë të mëngjesit.
Ndërkohë edhe pse ka qenë gjatë ditës së djeshme në një vizitë private në qytetin e Gjirokastrës, kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë asnjë reagim për situatën, që duket se do të vijojë edhe për ditët e ardhshme, sa kohë që ka njerëz që tashmë janë prej 48 orësh në kufi.
(E.K/Faxweb.al)