Situata në Venezuelë duket tejet e rënduar, ndërsa tashmë mund të themi se vendi është në një përplasje të hapur civile.
Pas videove ku dukeshin autoblindat qeveritare që shtypnin protestues, pamje të tjera tronditëse vijnë prej andej, ku situata duket se ka përshkallëzuar në një grusht të vërtetë shteti.
Kryeopozitari Guaido nisi një protestë në lagjen “bastion”, në Karakas, ku u shfaq i rrethuar nga forca me uniformë. Ai u bëri thirrje ushtrisë dhe policisë që të bashkohen me popullin.
Ushtarët e presidentit Maduro, ndërkohë, duken të vendosur në pozicione luftimi, nëpër ura e me armë të rënda. Gazetarët në terren raportojnë se po dëgjohen të shtëna nga të gjitha anët.
Guaido deklaroi se qeveria e ka humbur mbështetjen ushtarake, por Maduro thotë se sapo ka folur me gjeneralët, dhe i kanë garantuar mbështetje të plotë.
Ndërkohë që mediat amerikane raportojnë se Maduro po planifikon që të udhëtojë drejt Kubës për tiu shpëtuar trazirave.
“Ata kishin një aeroplan në pistë, dhe ai ishte gati të largohej këtë mëngjes (të martën). Rusët kërkuan që ai duhet të qëndrojë”, tha sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo për CNN. Zyrtarët e lartë amerikanë gjithashtu thanë që tre figura të shquara në qeverinë e Maduro kishte rënë dakord që presidenti duhej të shkonte, por më vonë u kthye prapa.
(E.K/Faxweb.al)