Kryesuesi i listës së kandidatëve të PD në qytetin e Durrësit, Edi Paloka ka zhvilluar sot një takim me banorët e Durrësit.
Në fillim të fjalës së tij , ai tha se ka ardhur koha për një ndryshim të vërtetë jo thjesht për ndryshim qeverish.
“Ka ardhur koha për një ndryshim të vërtetë, jo të iki njëra qeveri dhe të vijë tjetra por realisht të ketë një ndryshim”, – tha Paloka.
Drejtuesi Politik i Qarkut Durrës, Z. Paloka duket se ka paralajmëruar largime të tjera nga PS pas largimit të Kërtushës dhe Mazrekut, ku sërisht bëhet fjalë për persona me poste të larta drejtuese pranë PS.
“Ramës kanë filluar t’i ikin dhe funksionarët. Madje njëri prej tyre ishte administrator i kënetës dhe vendosi të largohej. Janë të tjerë që do të ikin prape, të cilët janë dhe në punët të mira, por që thonë se nuk vazhdohet me Ramën. Deri këtu ka arritur puna, kur ikin ata dhe e kanë kuptuar që me Ramën nuk vazhdohet, pjesa tjetër që kanë 8 vjet që provojnë në kurriz “pushtetërimin” e tij, nuk duhet të kenë dilema.”
Gjithashtu Z. Paloka në përfundim të takimit theksoi se tashmë janë shumicë ata të cilët kërkojnë largimin e Ramës dhe se me 25 prill, duhet të votojnë për këtë ndryshim pasi ndryshimi është i sigurtë që do të vijë.