Numri i pallateve që janë dëmtuar si pasojë e tërmetit në Durrës dhe në Tiranë është në shifra të mëdha, ndërkohë që grupet e inxhinierëve kanë dalë në terren prej dy ditësh, në mënyrë që të vendoset se cilët prej tyre kanë marrë dëmtime në strukturë.
Dëmtimet më serioze paraqiten në zonën e plazhit në Durrës, ku gjatë ditës së sotme qindra qytetarë kanë kërkuar ndihmë nga inxhinierët për të vlerësuar banesat e tyre.
Në zonën e Rrugës Tregtare, pritet që të shembet me shpërthim të komanduar, një pallat, i cili njihet si i VIP-ave, pasi aty kanë jetuar personazhe të njohura në vite. Ndërtesa i përket viteve ’80 dhe nga tërmeti i fundit pësoi dëmtime të konsiderueshme duke u shpallur i pabanueshëm.
Në këtë pallat kanë banuar këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku, aktori Fadil Hasa, por edhe drejtues institucionesh të asaj kohe, hetues dhe prokurorë.