Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha , po zhvillon një takim me ambasadorin e Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf. Takimi po zhvillohet në selinë e Partisë Demokratike, ndërkohë që nuk dihen ende temat e diskutimit mes tyre.
Nga ana tjetër, Këshilli Politik do të mblidhet sot në orën 12:00. Koalicionet parazgjedhore dhe hapja e listave 100%, mbeten çështjet e pazgjidhura midis mazhorancës dhe opozitës.
Duke konfirmuar pjesëmarrjen në këtë mbledhje dy përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, në letrën e dërguar mbrëmjen e djeshme Gjiknurit, theksuan se “mbledhja e fundit të Këshillit politik nuk pati asnjë dakordësi për të zhvilluar mbledhje ditën e premte.
Ju refuzuat kërkesën tonë për mbledhje të Këshillit Politik ditën e mërkurë. Kjo logjike e funksionimit të njëanshëm është krejt e kundërt me mënyrën e ndërtimit dhe funksionimit të Këshillit Politik, ku qoftë ditët e mbledhjeve ashtu edhe rendi i ditës janë dakordësuar konsensualisht me parë, thuhet në letrën e përfaqësuesve të opozitës.
Mazhoranca refuzoi ftesën e Partisë Demokratike që Këshilli të mblidhet me urgjencë të mërkurën, por palët ranë dakord që të mblidhen sot për të vijuar diskutimet për listat e hapura dhe koalicionet.
Opozita kërkon lista të hapura 100 %, ndërsa për mazhorancën kjo do të bëhet vetëm nëse garantohet kuota gjinore.
Në lidhje me koalicionet, opozita jashtëparlamentare kërkon që të pyetet OSBE-ODIHR. Mazhoranca i ka lënë afat opozitës 30 shtatorin për të sjellë të gjitha propozimet.