“Të dashur motra dhe vëllezër, Kushtetuta e popullit po pret popullin e Kushtetutës, pak momente na ndajnë nga pranvera kuqezi”, kjo është deklarata e presidentit Meta, kur na ndajnë tashmë më pak se dy orë nga manifestimi që ai ka thërritur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Tubimit të Metës pritet ti bashkohen të gjithë eksponentët e opozitës, edhe pse në tubim nuk parashjikohet që të ketë fjalime politike.
Në podium përveç Metës pritet të ngjiten dhe patriotë shqiptarë, avokatë dhe njerëz të së drejtës, ndërkohë që mjaft personazhe publike kanë deklaruar publikisht pjesëmarrjen në këtë takim.
Në shesh është vendosur dhe tavolina ku presidentin firmos zakonisht dekretet e tij, por mbetet ende e paqartë se cila do të jetë lëvizja e Metës gjatë ditës së sotme. Pak kohë më parë ai shprehej se qytetarëve duhej ti rikthehej e drejta e Referendumit, por nuk dihet nëse do të ketë sot një iniciativë të tillë.
Rreth 1000 efektivë të FNSH-së, Policisë dhe gardës do të zbresin sot në terren për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë manifestimit, ndërkohë që vetë presidenca ka angazhuar rreth 3 mijë persona që do të vendosin në krah shiritët kuqezi dhe do të garantojnë që gjithçka të jetë paqësore.
(E.K/Faxweb.al)