Kreu i AKR-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli do të kthehet në Kosovë të dielën, për festën e Fiter Bajramit. Këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj u pyet nëse Pacolli do të tentojë të marrë pjesë në seancë dhe nëse po do të ndjekë udhëzimet e MSH-së për vetëizolim.
“Po do të vij shumë shpejtë. Do ta respektojë Kushtetutën”, tha Zyberaj për lajmi.net. Pacolli kishte kërkuar rikthimin nga Zvicra në Kosovë në prill të këtij viti, në kohën kur po diskutohej për formimin e Qeverisë së re nga LDK-ja por pas telasheve të shumta me lejen për kthim, arriti në vend më 30 prill.
Aso kohe, iu kërkua që të izolohej për dy javë në Qendrën e Studentëve për shkak të situatës së koronavirusit, por i kishte dërguar Qendrës Operative të Ministrisë së Shëndetësisë dokumentacionin shëndetësor me të cilin kërkonte që t’i mundësohet vetizolimi në shtëpinë e tij në Hajvali. Për këtë arsye pati shumë reagime.
Nuk munguan përplasjet mes Pacollit dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurtin si dhe me ministrinë në detyrë të Punëve të Brenshme, Xhelal Sveclën. Pas kthimit në Kosovë, Pacolli kishte thënë se ishte frikësuar për aktin terrorist në aeroplanin e tij nga autoritetet e Kosovës.
Pas një jave qëndrimi, u kthye sërish në Zvicër më 4 maj. Për këtë njoftoi përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ku shpresoi se pándemia të kalojë sa më shpejt.
“Sot kam udhëtuar për në Zvicër për t’u bashkuar me familjen time pasi në kufizimet aktuale në Kosovë, fëmijët e mi nuk mund të më bashkohen në shtëpinë time në Prishtinë”, tha Pacolli.(A.M/Faxweb.al)