Juristi dhe aktivisti Adriatik Lapaj, është një ndër personat e proceduar penalisht nga Policia e Shtetit lidhurme protestën e studentëve.
I ftuar në studion e televizionit “Fax News”, Lapaj u shpreh se me këtë procedim nuk frikësohet askush, përkundrazi ndihen më të motivuar për të vijuar më tej. Ai tha se është i sigurt që në fund do të dalë i pafajshëm.
“Nuk frikësohemi, ndihemi të motivuar.
Ata kërkuan timonin, ua dhamë edhe timonin edhe tepsinë, por çfarë bënë? I nxorën studentët aty ku janë sot. Nuk na trembin as këta me procedime as edhe shefi i tyre”, – tha ndër të tjera Lapaj.
Ai theksoi se askush nuk ka zhvilluar tubim të paligjshëm, pasi e gjithë Shqipëria e ka ditur për këtë protestë që zhvillohet prej 8 ditësh.
“Askush nuk ka zhvilluar tubim të paligjshëm, ata janë lajmëruar ditën e parë, pastaj që 8 ditë e di gjithë Shqipëria për këtë protestë”, tha ai.
Pyetjes se sa do të qëndrojë solide kjo protestë, që nuk ka një lidership, Lapaj iu përgjigj:
“Ka qenë pika e dobët dhe pika e fortë. Ka qenë pikë e fortë sepse askush nuk ka mundur ti devijojë, ndërsa pika e dobët, është sepse po merr kohë qeveria. Ka ardhur koha që të ketë një lidership. Çdo fakultet duhet të ketë liderin e vet. Domethënë të ketë lidershpi vetëm sa i takon anës organizative, ndërsa sa i takon vendimarrjes le të vijojë siç është sepse vendimet merren në mënyrë kolegjiale”.
Duke hequr një paralele me protestën e dhjetorit 1990, i tha se po rezulton se pushteti paskësh qenë më demokratik, pasi nuk ka pasur asnjë të proceduar.
(B.B/ Faxweb.al)