Kryeministri Edi Rama ka folur për Partneritetet Publike Private duke sqaruar se janë investime të privatëve që shlyhen pjesë pjesë nga shteti dhe pa to nuk do të merreshin shërbime. Rama nuk la pa thumbuar opozitën për sistemin shëndetësor ndërsa theksoi disa herë që mjekët nuk kanë ikur nga Shqipëria, por sipas tij, është kaluar nga sistem kafshërie në njerëzie.
Rama: Sa i përket PPP, ju ftoj që ta kuptoni, janë investime të privatëve që shlyhen pjesë pjesë nga shteti, nuk janë paratë e shtetit që u jepen privatëve. Janë investime të kompanive private në shërbime që shlyhen pjesë pjesë nga shteti. Nëse nuk do kishim këto investime, nuk do të jepnim dot ato shërbime dhe sot do të kishim sërish një situatë si dje ku lindjet e nënave të reja do vazhdojnë të bëheshin me pinca të kohës së dashurisë shqiptaro kineze, ku sterilizimi do ishte një fjalë boshe dhe infeksionet operatore do ishin më të lartat në botë. Kemi kaluar nga kushte kafshërie në kushte njerëzie.
Pjesa më e madhe e mjekëve nuk ka ikur nga Shqipëria, doni apo s’doni ju. Shifrat janë aty dhe shumë kokëfortë. Ne nuk kemi mungesë mjekësh në sistemin tonë shëndetësor, doni apo s’doni ju. Mos ngatërroni standardet e shërbimin në një tablo ndërkombëtare globale me mungesën apo mos mungesën globale.
Unë kam përgjigjet që kam unë, jo ato që ju pëlqejnë. Pra mos më thoni gjëra që nuk kanë lidhje me njëra tjetrën dhe doni apo jo ju, sot Shqipëria ka një sistem shëndetësor që patjetër ka probleme, ka nevoja të mëdha por është një sistem shëndetësor dhe këtë e thonë të gjithë ata që gjykojnë sistemin tonë shëndetësor përfshirë dhe OBSH. Para 7 vitesh nuk kishte sistem shëndetësor. Kishte mjekë që luftonin nga mëngjesi në darkë si në kohën e luftës, kishte infermierë që nuk dinin ku do i zinte e nesërmja se bluzat i mbanin partitë dhe ishte një parti që ishte bërë si fasonë bluzash infermierësh që i shpërndante me teser bardh e kuq në xhep.
Në spitalin Nënë Tereza, nuk e ndaje dot a ishte në pazar fruta perimesh, në një treg rrobash të përdorura, në një parking makinash se vetëm në një spital jo. Hyje brenda në godinë dhe nuk e përcaktojë dot kush ishte i sëmuri, kush ishte mjeku, kush infermieri se as uniforma nuk kishin dhe nëpër gardhe ishin njerëzit që duhet të vraponin me receta për të gjetur ilaçe se nuk kishte spitali.
Para 7 vitesh shkonin me carcafë e batanije me vete. Jam i gatshëm t’ju shpjegoj se sa shumë halle kemi me shëndetësinë, por kemi sistem shëndetësor sot dhe larg qoftë të kishte rënë Covidi 7 vjet përpara dhe atëherë do ishte Shqipëria lajm botëror.(A.M/Faxweb.al)