Kryeministri Edi Rama ka falenderuar ditën e sotme opozitën për ndjeshmërinë e treguar ditën e djeshme për vdekjen e deputetit socialist Bashkim Fino.
Teksa fliste nga Lezha, Kryeministri Rama u shpreh se solidariteti i treguar ditën e djeshme nga opozita do të ishte mirë sikur të vazhdonte të ishte prezente në këto ditë të vështira të luftës me Covid-19.
“Një ditw pas humbjes dhe të kundërshtarëve që në këtë rast meritojnë një falenderim për ndjeshmërinë e shprehur, edhe pse do të ishte mirë vërtetë, do të ishte shumë mirë që të njëjtën ndershmëri të kishin çdo ditë në këto ditë të jashtëzakonshme, ku e gjithë bota përballet me kërcënimin e vdekjes për njerëzit tanë më të dashur, ku ajo që na takon të bëjmë si njerëz, është të bëjmë atë që na takon. Të bëjmë atë detyrë që na takon, të mos shkelim ligjin, rregullat, të mos shkelim kufirin të njerëzores për politikë dhe për vota, duke i vënë njerëzit në rrezik, duke krijuar vatra infektimi përmes grumbullimesh absurde, të turpshme, të papërgjegjshme që tregojnë se në fund të ditës, politika nuk është çështje programesh, nuk është çështje idesh e fjalësh, por cështje karakteri. Karakterin o e ke o se ke, ata nuk e kanë.
Për fat të keq karakteri i tyre i dobët që mishërohet tek liershipi i tyre bëhet pasqyrë i kësaj të përditshme të vështirë për shkak të pandemisë dhe duke dhënë shembulli më keq të mundshëm për të gjithë të tjerët. Ndërkohë që e para gjë që ne që marrim përsipër të përfaqësojmë të tjerët të japim një shembull sa më të mirë, sidomos në gjërat e thjeshta dhe ato që quhen gjëra të vogla. Ne e kemi humbur trenin e historisë sepse nuk e kemi zakon t’i detajojmë gjërat e vogla,” tha Rama.
(E.H/Faxweb.al)