Gjykata e Posaçme la në burg të arrestuarit gjatë operacionit ku i zbuluan 18 baza armatimi dhe u zbardhën 3 ngjarje kriminale.
Konkretisht mbetën në burg: Blendi Deda, Flor Abazi, Paris Prenga, Petrit Shera, Algert Hysa, Bujar Jupi, Festim Mustafa, Arben Sufa dhe Klodian Kulla.
Seanca e sotme u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa prova më e fortë e SPAK është dëshmia e Enver Jamakut. Në sajë të këtij operacioni policia dhe SPAK goditën 18 baza armatimesh dhe sekuestruan një arsenal të sofistikuar armësh. Gjithashtu në sajë të këtij operacioni u zbardhën edhe tre ngjarje kriminale. Më konkretisht janë zbardhur ngjarja e vendosjes se tritolit ndaj Artian Bylyku i cili eshte kunati i Domart Konjarit.
Gjithashtu, është zbardhur dhe ngjarja ku është qëlluar me armë avokati Paulin Papleka. Ne ate kohe per te shtenat ndaj avokatit, u vu me pranga Edmond Saraçi, por ndaj këtij të fundit ishte ngritur kurth, duke iu vendosur edhe armë në banesë në momentin e arrestimit.
Ndihmesë në zbardhjen e ngjarjeve ka dhënë dëshmia e të penduarit të drejtësisë Enver Jamaku, i cili bashkëpunoi me drejtësinë pas arrestimit për tritolin në makinën e Xhon Menës.
Burime nga Policia thanë se në pranga janë vënë edhe persona që autoritetet i konsiderojnë lidhje të shtetasit Gjergj Cukali, ky i fundit tashmë në akuzë për grup kriminal nga SPAK.
(E.H/Faxweb.al)