Drejtori i Partizanit, Olsi Rama, ka prezantuar trajnerin e ri të 16 herë kampionëve të vendit. Fjala është për Ilir Dajën, tri herë kampion i Shqipërisë me tri skuadra të ndryshme.
“Kemi marrë trajnerin më të mirë në Shqipëri. Është mirë për Partizanin që të kërkojë suksesin pas një sezoni të dështuar. Ishte mbase marrëveshja më e lehtë, me një shtrëngim dore. Gjëja e parë që më kërkoi Daja nuk ishte as lojtarët, asgjë tjetër, donte kompleksin e stërvitjes etj. E rëndësishme është stërvitshmëria me nivelet që ka pasur te Skënderbeu dhe më mirë. Mbase ne do t’ia plotësojmë kërkesat infrastrukturore.
Kontrata? E shohim trajnerin si personin që do të na zgjidh hallin ndaj e morëm në shtëpi, jo nga jashtë. Bashkë me stafin kanë kontratë afatgjatë. Duam të jemi mirë edhe me Partizanin B, ndaj do të kenë çdo gjë në funksion të tyre. Ideja është që të ndërtojmë një strukturë, që do t’i shërbejë klubit nga akademia deri tek ekipi B. Synimi është e njëjta filozofi loje dhe kalimi i lojtarëve nga ekipi B në ekipin e pare. Ky do të jetë një proces i integruar.
Objektivi? Partizani duhet të bëhet një ekip me koncept loje dhe displinë, të jetë profesionist brenda dhe jashtë fushe. Nuk kemi vënë asnjë objektiv, por kemi në mend baza të shëndosha jo vetëm në një kampionat, por edhe më tej. Duke mos pasur ngarkesën e Kupave të Europës, duam të konkurojmë denjësisht në kampionat. Le t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës dhe në bazë të lojtarëve që do të afrojmë do të kemi lojën, që do të aplikojmë. Nëse kemi seriozitet, vullnet dhe dëshirë, do të jemi në rrugën e duhur.
Merkatoja? Kemi bërë një takim të tre me presidentin, shumë miqësor. Ai është me pushime. Vendimi duhet të jetë automatik për zhbllokimin e merkatos. Duhet të plotësohen kushtet për ta bërë diçka të tillë. Jetojmë në kohë të çuditshme dhe habitem se si bëhen gjërat këtu nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve.
Mala, Telushi dhe Hoxha? Kemi biseduar dhe nuk janë vetëm ata pa kontratë. Do të flasim dhe do të nxjerrim komunikatë, pasi do të vendosim pas negociatave, nëse ato do të jenë pjesë e klubit apo jo. Nuk janë vetëm këta të tre pa kontrata. Të gjithë janë në provë, edhe lojtarët, edhe stafi.
Kanë kontribuar të gjithë dhe duhet të vijnë me dëshirë më të madhe. E kanë shprehur këtë dëshirë, por do të vendosim më vonë. Nuk më shqetëson fakti se kanë oferta, gëzohem që kemi lojtarë të mirë në grup. Të jenë të bindur dhe mos të kenë pishmane kur të vijnë këtu. Të vijnë për veten e tyre, jo për mua apo dikë tjetër. Stërvitjen në kompleksin e ri mund ta nisim në fund të shtatorit, stadiumit i ka ngelur rifinitura e fundit dhe nuk e di fiks datën e inaugurimit”.