Edhe pse rastet e reja me Covid 19 ditë pas dite po kapin 100-ndëshen, dhe jetët e humbura tashmë po rriten frikshëm, forcat më të mëdha pòlitike në vendin tonë, duket se po ndezin motorët e fushatave elektorale, duke nisur takimet në bazë, edhe pse zgjedhjet parashikohen që të mbahen vitin e ardhshëm.
E ndërsa grumbullohen me dhjetra në salla të mbyllura, shumë prej tyre jo vetëm që nuk mbajnë maska, por edhe nuk respektojnë qoftë edhe distancën minimale fizike nga njëri tjetri, ndërkohë që qytetarët fajësohen çdo ditë nga Ministria e Shëndetësisë, pikërisht për të njëjtat arsye, për të cilat ligjvënësit as që duan tia dinë.
Fotot e fundit vijnë nga takimet që disa deputetë socialistë kanë pasur me bazën në qytetin e Vlorës, ku shihet sesi njerëzit qendrojnë pranë njëri tjetrit, ndërkohë që nuk kanë munguar as fotot në kafe. Nuk dihet nëse ministrja Manastirliu, të cilën e shohim çdo ditë në ekran, duke paralajmëruar e kërcënuar bizneset, tiu ketë çuar ndonjë mesazh kolegeve të veta, që pozojnë si të ishim në kushtet më normale, e Covidi të ishte një teori konspirative.
Për ta shtuar dhe më shumë teorinë ”bëj si them unë, po mos bëj si bëj unë”, mendoi dje dhe zv.kryeministri Erion Braçe, i cili akuzonte kreun e opozitës Lulzim Basha për takimet që zhvillonte në bizneset e vogla, por duket se numrit dy në qeveri nuk i ka rënë në sy fare se çfarë bëjnë kolegët e tij brenda për brenda partisë.
Me siguri që do të ketë qenë i zënë, duke parë nga afër serat në Divjakë, për të cilat flet e shkruan çdo ditë në rrjetet sociale, ku edhe qarkullojnë fotot nga Vlora.
(E.K/Faxweb.al)