Ditën e djeshme aktori i njohur Robert Ndrenika ishte zëri dhe imazhi i spotit të Partisë Socialiste përmes të cilit kryeministri Rama kërkoi mandatin e tretë në nisjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit. Përfshirja e Ndrenikës në fushatë nga kampi i majt solli një lumë komentesh negative në rrjet ndaj aktorit.
Madje ishte dhe vetë Ndrenika, ai i cili reagoi për sharjet dhe fyerjet në drejtim të tij, ku specifikoi fyerjet e ardhura nga Londra nga djali i Ali Manajt (Sekretar partie në Gjirokastër).
Ndërkohë vetë Ben Manaj ka reaguar me një shkrim të gjatë në rrjete sociale, duke iu përgjigjur “pikë më pikë”. Ai thotë se eshtrat e përmendura nga Ndrenika për babain e tij nuk i merr si mallkim, por si një ogur pozitiv, teksa thotë se babain e ka gjallë në Londër.
Krahasimin që Ndrenika ia bëri me Phenianin ai ia “kthen” duke i thënë se partia e re që ka zgjedhur (nënkupton PS) është si në Phenian, pasi bën zgjedhje pa kundërshtarë. Në fund nuk nguron ta thumbojë aktorin e madh duke i thënë se ka qenë më herët deputet i PD-së ndërsa sot pranon të jetë në të njejtën parti me ish-kryetarin e Kuvendit në kohën e Komunizmit.