Presidenti i vendit Ilir Meta shkruan se Arjan Sala është heroi i të gjithëve ne, pasi humbi jetën e tij, vetëm për të shpëtuar jetën e qytetarëve të tjerë. Meta shpreh ngushëllimet për familjen e 32-vjeçarit, i cili mbeti i bllokuar në magazinën e një qendre tregtare, pas rënies së një zjarri pasditen e së mërkurës.
“ARJAN SALA, HEROI YNË! Shumë dhembje, mirënjohje e respekt të thellë për këtë njeri të jashtëzakonshëm, që në kushte shumë të vështira, me ndjenjën e lartë të përmbushjes së detyrës, shpëtoi jetën e shumë qytetarëve duke qenë i ndërgjegjshëm se po humbte jetën e tij.
Me sakrificën sublime, Arjan Sala hyri në zemrat tona për t’u përjetësuar si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, shembull i mirësisë dhe i vlerave më të larta humane.
Mbi vetëflijimin e Tij uroj të ndërtohet një shtet më njerëzor, më i dhembshur, më social dhe më reagues, që nuk i braktis njerëzit në nevojë në momentet më të vështira, por që mendon për ta dhe i respekton me përulësi çdo ditë.
Heronjtë e thjeshtë e të heshtur dhe sakrificat e tyre në shërbim të komunitetit. Ngushëllimet më të ndjera familjes! Lutemi që shpirti i Heroit tonë Arjan Sala të prehet në paqen e merituar!”, shkruan Meta në postimin e tij.
32-vjeçari Arjan Sala mbeti i bllokuar që prej pasdites së të mërkurës në një magazinë pranë një qëndre tregtare. Ai ishte përgjegjës i sigurisë, dhe në momentin që ka rënë zjarr ka hyrë për të shpëtuar persona të tjerë po ka mbetur vetë brenda.
Kërkimet për të nisën që prej të mërkurës, por mungesa e mjeteve të specializuara i bëri më të vështira kërkimet, ndërkohë që familjarët hodhën akuza në drejtim të zjarrfikëseve, që sipas tyre nuk kishin mjete.
Ata thanë se në rast se do të ishte ndërhyrë shpejt, mbase do të kishte mundësi që i riu të nxirrrej i gjallë nga magazina, e cila ishte e mbushur me materiale të ndryshme, veshjesh apo metalike, që lehtësuan përhapjen e flakëve.
(E.K/Faxweb.al)