Partia Socialiste dhe opozita parlamentare duket se po hedhin hapa pas sa i takon ndryshimeve Kushtetuese. Sipas diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, pragu elektoral dhe koalicionet nuk do të shkruhen në Kushtetutë.
Deputeti Myslim Murrizi tha se nuk është e vërtetë që listat e hapura pengojnë koaliconet parazgjedhore, pasi partitë mund të dalin me lista të përbashkëta. Sipas tij pamundësohen vetëm koalicionet klasike, që jemi mësuar ti shohim shpesh në vendin tonë.
“Ne kërkojmë që askush mos të pengohet të hyjë në Kuvend me garë të ndershme, askush nuk duhet të privohet nga mandati. Mund të përdoren modelet e listave të përbashkëta, siç ndodh gjithandej, nuk do të shkruajmë në Kushtetutë që ndalohen koalicionet”, u shpreh Murrizi.
Ndërkohë që vetë opozita duket se nuk ka dakordësi të plotë mes saj, pasi Korab Lita shprehet se duhet që të sanskionohet në Kushtetutë qoftë heqja e koaliconeve, qoftë edhe hapja e listave.
Në fjalën e saj Rudina Hajdari tha se sipas saj listat e hapura duhet të sanksionohen në Kushtetutë, por sasinë sesa do të aplikohen ato duhet të jetë në dorë të vetë partive.
”Për mua kjo është e rëndësishme që jep garanci që listat të jenë 100% të hapura. E rëndësishme është që për një kohë të gjatë të kemi këtë parim dhe garanci që cdo parti të shkojë drejt rrugës së hapjes së listave deri në limitin që ka dëshirë”, u shpreh Hajdari.
Alket Hyseni: E mbështetëm në parim këtë nismë, pragu përcaktohet në kodin zgjedhor. Listat e hapura me koalicionet bien ndesh. Do të bënin të pamundur një votim me lista të hapura dhe koalicione.
Elena Xhina: Nuk mund të vendosim në Kushtetutë çdo hollësi që u takon parimeve kryesore. Neni 64 është një garanci që duhet të qëndrojë në Kushtetutë. Të nisim tashmë miratimin nen dhe të përfundojmë punën që kemi nisur.
Adnor Shameti: Pragu të jetë natyral për cdo qark dhe në kodin zgjedhor, shpreh sigurinë time se kjo është mënyra e vetme për ta legjitimuar. Pra pragu të jetë natyral i zgjedhjes.
Vasilika Hysi: Pra kemi diskutuar cështjen e pragut kombëtar dhe nëse në Kushtetutë duhet të parashikojmë detajet. Pragu kombëtar nuk duhet te ndikoje te mandati fitues.
Klotilda Bushka: Niveli i pragut do të lihet për t’u përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Në Kushtetutë do të vendosim çështjet parimore. Por edhe Kodi miratohet me shumicë të cilësuar dhe e njëjta praktikë të vendoset bashkërisht. Listat janë të hapura dhe kjo duhet të vendoset në Kushtetutë. Niveli jo më pak se 2/3 është dysheme. Kjo është bërë për të garantuar konkurrueshmërinë, por edhe ruajtjen e barazisë gjinore.
(E.K/Faxweb.al)