Pas shkarkimit të drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, janë shkarkuar edhe drejtori i doganës dhe i ATK’së.
Kryeministri Avdullah Hoti ka shkarkuar edhe drejtorin e ATK’së, Ilir Murtezaj dhe ushtruesin e detyrës së doganës, Ibrahin Xhaka. Ky është shkarkimi i tretë brenda ditës.
Ilir Murtezaj ishte emëruar drejtor i ATK’së në shkurt të vitit 2019 nga ministri i atëhershëm i Financave Bedri Hamza.
Kurse Ibrahim Xhaka ishte emëruar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave në shkurt të këtij viti nga ish-kryeministri Albin Kurti.
Zyra e Kryeministrit Avdullah Hoti ka njoftuar për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalajt. ZKM e ka konfirmuar largimin e Qalajt.
“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe bazuar në raportin e performancës për drejtorin e Policisë së Kosovës, sot Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti ka liruar nga detyra z. Rashit Qalaj, nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës”, thotë njoftimi i ZKM’së.
Në vend të Qalajt, Hoti e ka emëruar ushtrues detyre Samedin Mehmetin.
Drejtori i shkarkuar i Policisë Qalaj ndërkaq, që ishte emëruar nga Ramush Haradinaj, por që i ishin përmendur gjithmonë lidhjet me zyrtarë të lartë të PDK’së, i shpëtoi edhe ish-kryeministrit Albin Kurti.
Gjatë qeverisjes së Kurtit, shumë herë u përmend mundësia që Qalaj të lirohej nga detyra. Sepse ish-kryeministri po shkarkonte çdo ditë formacione të ndryshme në krye të institucioneve të shtetit. Këdo që e konsideronte se ka ardhur në pushtet me lidhje politike të pushtetarëve të mëhershëm.
Megjithatë, fundi drejtorit të Policisë në këtë pozitë i erdhi sot kur Kryeministrit Hoti nxori vendim për shkarkimin e tij.