Kur kanë kaluar 5 ditë nga ngjarja e ndodhur në një biznes privat në Tiranë, ku magazina në katin përdhe është përfshirë nga flakët, në banesën e Arjan Salës janë hapur dyert e mortit, dhe ende ka njeëz që kryejnë vizitat e ngushëllimit. Gazetari i Fax News Fatjon Gjinaj raporton se në banesën e familjes Sala gjatë ditës së sotme pritet dhe mbërritja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa më herët të pranishëm kanë qenë presidenti Meta, kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Rama pritet që të japë dhe titullin “Dëshmor i Atdheut” për Salën, i cili shpëtoi disa persona në magazinën e biznesit ku punonte, ndërsa mbeti vetë i bllokuar brenda dhe dyshohet se humbi jetën si pasojë e asfiksisë. 32-vjeçari la pas një fëmijë të mitur, bashkëshorten, vëllanë e tij të vetëm dhe dy prindërit, ndërkohë që familja ka kërkuar ndihmën e shtetit që djali i mbetur jetim të ketë vëmendje maksimale.
Sa i takon vendit ku është varrosur, burime bëjnë me dije se familja ka kërkuar që ai të prehet pranë të afërmve të tij në varrezat e Bathores, dhe jo në ato të ‘Dëshmorëve’ në rast se qeveria do ti jepte titullin.
Me Arjan Salën pasditën e të mërkurës kur ka shpërthyer zjarri në magazinë tek kthesa e Kamzës, ndodheshin edhe dy kolegë të tij si dhe djali i pronarit të biznesit. Burime bëjnë me dije se nga hetimet ka rezultuar që 3 të tjerët kanë bërë përpjekje për t’u futur në magazinë, por kanë kthyer pas në momentin kur janë ndjerë keq nga tymi dhe flakët, ndërsa Arjani ka përparuar më në thellësi me një bombul që përdoret për shuarjen e flakëve në duar.
Mjeti në fjalë i është gjetur pranë trupit të pajetë në momentin kur është zbuluar pas pothuajse 3 ditë kërkimesh. Personat që kanë qenë me Salën atë ditë përfshirë edhe djalin e pronarit të qendrës tregtare, janë marrë në pyetje nga hetuesit ku kanë dhënë edhe dëshmitë e tyre për ngjarjen, ndërsa kanë treguar se më përhapjen masive të flakëve janë kthyer pas duke humbur nga sytë 33-vjeçarin. Përpara se Sala të bllokohej në magazinë duke pësuar fillimisht asfiksi dhe më pas humbur jetën, ka asistuar ne avakuimin nga kati nëntokë i godinës i të paktën 7 personave që ndodheshin aty.
(E.K/Faxweb.al)