Vijon të jetë ende aktive vatra e zjarrit në Malin e Koshnicës, pranë fshatit Siman të Gramshit, e cila u shfaq ditën e djeshme. Nga flakët janë shkrumbuar pisha dhe një numër i madh pemësh.
Terreni i vështirë malor ka pamundësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, ndërsa punonjësit e saj kanë ndërhyrë për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit me mjete rrethanore.
Është ende i paqartë shkaku që ka sjellë flakët në këtë zonë, ndërkohë që ato kanë qenë të favorizuara edhe nga temperaturat e larta. Sot situata paraqitet edhe më serioze. Zjarri është ende i pranishëm ndërsa drejtues të zjarrfikëses nuk dinë të thonë me siguri se sa është sipërfaqja e djegur. Drejtuesi i repartit Ilir Llapushi ndërsa e konsideron situatën serioze ka kërkuar ndërhyrjen e mjeteve nga ajri.